Balla: Basha të japë llogari për financimet ruse

TIRANË, 25 mars/ATSH/ – Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka theksuar gjatë një interviste televizive se “kryetari i Partisë Demokratike duhet të japë llogari sot para shqiptarëve, për financimin e dyshimtë rus në drejtim të partisë që Basha drejton”.

Sipas Ballës, lajmi i ditës sot është pikërisht hetimi që është ndërmarrë dhe letërporositë e mbërritura nga Skocia e SHBA në kuadër të hetimit ndaj PD, për një financim të pajustifikuar nga Rusia në drejtim të Partisë Demokratike.

“Financimi i Kongresit të Partisë Socialiste, një ngjarje e rëndësishme politike në vend dhe ju garantoj se do të zbardhet plotësisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ashtu siç parashikon ligji. Të jeni të sigurt që s’do çalojmë ashtu siç po ndodh me z. Basha, për të cilin ka dhe një hetim për deklarata të rreme”, – tha Balla.

Lidhur me ofertën e propozuar nga Kryeministri Edi Rama për opozitën, të deklaruar gjatë kongresit të PS, Balla tha se nuk është pazar ajo që ju ofrua PD-së dhe LSI-së.

“Ofertë më të pakundërshtueshme për këtë nuk mund të ketë për asnjë opozitë, në asnjë vend. Asnjë opozitë nuk merr një ofertë kaq të mirë nga mazhoranca ku i thuhet nga 61 bashki merr 31 dhe nëse i fiton këto 31 jemi të gatshëm që në shtator të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”. Nëse mendoni që është kollaj, Lulzim Basha ta pranojë ofertën, të heqë dorë nga historia hyj nuk hyj në zgjedhjet vendore, t’u tregojë shqiptarëve se partia e tij mund të fitojë zgjedhjet, sepse gjithë kjo histori që jemi sot është se Lulzim Basha nuk do zgjedhje, nuk do të hyjë në zgjedhje, do pushtet në tavolinë. Pushtet në tavolinë Lulzim, nuk ka”, – shtoi Balla.

“Ky nuk është pazar, është shprehje kuptimplotë që t’i zotëri thua se kam shumicën në popull dhe kërkoj qeveri teknike për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Atëherë ne themi bujrum, merr pjesë në zgjedhjet vendore, konfirmo që keni mbështetjen në popull dhe hajde të bëjmë gati zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Në Shqipëri ka ikur koha kur në kurrizin e Kushtetutës dhe demokracisë mund të bëhen pazare”, – shtoi Balla.

Balla u shpreh i prerë se zgjedhjet vendore do të mbahen në datën 30 qershor.

“Ne kemi thënë qartazi, zgjedhjet vendore nuk e luan as topi që do mbahen më 30 qershor, hyn ose jo opozita dhe zgjedhjet e përgjithshme janë sanksionuar dhe ka afate kushtetuese, që duhen respektuar”, – vijoi Balla.

“Sot në Komisionin e Integrimit kemi pasur diskutime pozitive nga deputetët e opozitës, që janë të gatshëm të marrin pjesë në diskutimin e një rezolute të Kuvendit për procesin e integrimit dhe po ashtu kam konstatuar dhe disponibilitetin e deputetëve që janë sot në Kuvend e që përfaqësojnë opozitën, për të luajtur atë rol që opozita ka në demokraci”, -shtoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS tha se, “në 18 muaj opozitë, të drejtuar nga Basha e Kryemadhi, nuk u bë asnjë interpelancë, asnjë propozim për mocion mosbesimi, asnjë gjë. Pra nuk u shfrytëzua nga opozita roli saj në Kuvend”, – shtoi Balla.

“Ne kemi sot kryetarin e opozitës që s’pranon të hyjë në zgjedhje pa marrë një copë pushtet. Në 2017-ën kërkoi gjysmën e qeverisë, pjesën më të rëndësishme dhe njohu zgjedhjet, e del tani që s’i njeh zgjedhjet. Sa i përket zgjedhjeve të 2017-ës, janë të parat ku u votua 7-0 nga KQZ dhe s’ka asnjë ankesë, dhe të qendrës më të thellë ku është votuar”, – shtoi Balla.

“Thirrja e kryetarit të opozitës për një hetim që ka nisur SHBA është lajmi më i madh që duhet të ketë në media. Pyete njëherë Lulzim Bashën, që i ka të gjitha komoditete që pritet me makinë, pritet kur të dojë, si t’i dojë qejfi në organin e akuzës, nga kanë ardhur paratë? Unë kam bërë një kallëzim penal ndaj Lulzim Bashës, që gënjeshtar si ky s’mund të ketë. Unë po flas për një njeri që e ka futur Partinë Demokratike në një llucë ku gjenden edhe para ruse… Partia e idealeve të Dhjetorit sot është zhytur në një llucë. Sot i gjithë opinion publik dhe anëtarët më të thjeshtë të Partisë Demokratike i kërkojnë Bashës se ç’punë ka pasur ai për të krijuar kanale financimi me burime të dyshimta”, tha Balla gjatë intervistës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.