ARRSH: Gara për ndërtimin e Tunelit të Kardhiqit, brenda afateve të planifikuara

TIRANË, 25 mars/ATSH/ – Realizimi i ndërtimit të Tunelit të Kardhiqit (loti 7) është një nga objektivat kryesorë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Përmes një njoftimi, ARRSH bën me dije se gara për ndërtimin e kësaj vepre madhore (Tuneli i Kardhiqit) do të fillojë brenda afateve të planifikuara.

“Autoriteti Rrugor Shqiptar, në përgjigje të një artikulli të publikuar në media, njofton opinionin publik, se mbetet në prioritet të veprimtarisë së këtij Autoriteti realizimi i ndërtimit të Tunelit të Kardhiqit (loti 7), si pjesë e investimit madhor tashmë të nisur nga ana e Qeverisë shqiptare, përmes financimit nga buxheti i shtetit për vitin 2019. Anulimi i asaj procedure të Studim Projektimit për rishikimin e projektit të Tunelit të Kardhiqit (loti 7) nuk e pengon Autoritetin Rrugor Shqiptar, që bazuar në legjislacionin në fuqi, të nisë brenda afateve të planifikuara garën për ndërtimin e kësaj vepre madhore”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.