“100 fshatrat”, 1 miliard lekë për infrastrukturën rurale

TIRANË, 25 mars /ATSH/- 1 miliard lekë është vlera financiare që Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të përdorë për programin “100 fshatrat” gjatë vitit 2019.

Agroturizmi mbetet sektor premtues dhe modeli i programit “100 fshatrat” është shembull konkret i zhvillimit të qëndrueshëm të zonave rurale. Marketimi i 100 fshatrave si  destinacione agroturistike, siguron rritje të ardhurash, ulje të papunësisë dhe zhvillim të zonës.

Krahas 4 ministrive që janë drejtpërdrejtë të përfshira në këtë program, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është institucioni që do të ndërhyjë me prioritet në rehabilitimin e infrastrukturës rrugore rurale.

Rrugët janë të domosdoshme dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të investojë në infrastrukturën rurale sipas planeve zhvillimore të programit “100 fshatrat”, për të sjellë në nivelin e duhur këtë sektor, që i shërben investimeve në agroturizëm.

“100 fshatrat” është shembull inkurajues sesi agroturizmi mund të ndryshojë perspektivën ekonomike rurale në funksion të zhvillimit.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, sot janë 22 subjekte përfitues të skemës kombëtare të mbështetjes 2018, për investimet në agroturizëm dhe ngritjen e inkubatorëve të prodhimit dhe produkteve tradicionale, mjaft të kërkuara nga turistët e vizitorët vendas e të huaj. /e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.