Shqipëri-Mal i Zi, zhvillimi i zonave ndërkufitare diskutohet në Kuvend

TIRANË, 24 mars /ATSH/- Shkodra, Lezha, Tropoja, por edhe disa zona në Malin e Zi, janë përfitues të drejtpërdrejtë të programit të bashkëpunimit Mali i Zi – Shqipëri që ka për qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare dhe të rrisë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve përmes ndërhyrjeve të përbashkëta.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Shqipëri, alokimet e vitit 2017, që diskutohet nesër në Komisionin e Kuvendit për Ekonominë dhe Financën synon të hapë rrugë zbatimit të këtj programi që mbështet gjithashtu shkëmbimin e përvojës dhe njohurive ndërmjet përfituesve, si dhe përmirësimin e politikave publike ndërmjet autoriteteve kombëtare, rajonale e lokale në këto zona.

Ky program mbulon një territor prej 11 970 km2 , me një popullsi prej rreth 749 257 banorë.

Sipas relacionit që shoqëron këtë  projektligj, Programi Mali i Zi – Shqipëri 2014 – 2020 parashikon alokimin e fondeve të vitit 2017, nga një grant i Bashkimit Evropian nëpërmjet instrumentit IPA II, me një vlerë prej 1 190 000 eurosh për të dyja vendet.

“Kontributi që do të japë Bashkimi Evropian për zbatimin e përbashkët të programit Mali i Zi – Shqipëri, për periudhën 2014 – 2020, arrin vlerën e 11 900 000 eurove, por alokimet e mëtejshme do të jenë subjekt i nënshkrimit të marrëveshjeve të tjera financiare ndërmjet vendit tonë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian”, citon relacioni.

Sipas së cilit, duke marrë parasysh aspektet problematike që ndikojnë në ekonominë e zonës dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm, programi do të fokusohet në prioritetet e mëposhtme tematike: 1. Nxitja e turizmit dhe e trashëgimisë kulturore e natyrore; 2. Mbrojtja e mjedisit, nxitja e përshtatjes dhe e lehtësimit ndaj ndryshimeve klimatike, parandalimi dhe menaxhimi i rrezikut; 3. Nxitja e punësimit, lëvizjes gjeografike të punonjësve dhe e përfshirjes sociale e kulturore përtej kufirit. e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.