Bypass-i i Tepelenës, punime rehabilituese edhe në kalanë e Ali Pashës

TIRANË, 24 mars/ATSH/- Kalaja e Tepelenës po kthehet në një ndër pikat më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj gjatë udhëtimit të tyre në jug të vendit.

Kalaja mesjetare, e ndërtuar prej Ali Pashës, tashmë është kthyer në një simbol të qytetit të Tepelenës, e cila tërheq interesimin e pa përjashtim çdo turisti që ndalon në ato anë.
Ditët e fundit, në kuadër të investimit për bypass-in e Tepelenës me angazhimin maksimal të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe firmës “G.Line” u bë i mundur përforcimi përmes ankerimit të krahut verior të kalasë së Ali Pashës.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, bën të ditur se “në kala u bënë edhe punime mitiguese për efekt mjedisor”.

Sipas tij, bastionet këtu rrezikoheshin seriozisht kohët e fundit.

Falë investimit të bypass-it të Tepelenës në këtë kala parashikohet gjithashtu të realizohet një rrethrrotullim në sheshin “Ali Pasha”, zgjerim i rrugës dhe realizim i trotuareve për këmbësorët që duan të vizitojnë kalanë, pastrim dhe rehabilitim i mureve të Kalasë, ndriçim i rrugës, mbrojtje e skarpateve dhe gjelbërim i gjithë zonës.

Kalaja e Tepelenës vazhdon të përbëjë një prej objekteve, e cila mbart dëshmi dhe vlera të rralla historike. E ndërtuar nga Ali pashë Tepelena, në periudhën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës, kalaja e Tepelenës është një objekt me vlera të rralla ndërtimore, por edhe një kala, e cila mbart dëshmi të rëndësishme historike.

Ajo njihet prej të gjithëve si një nga simbolet e lidhjes historike të Tepelenës me sundimtarin e njohur Ali pashë Tepelena. Vazhdimisht, përgjatë mureve të gurta të kalasë, kullave dhe ndërtimeve të tjera prej guri, të zë syri grupe turistësh të cilët kërkojnë të prekin nga afër vlerat e kështjellës të ndërtuar nga Veziri i Janinës./k.s/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.