Subashi: Në 3 vite e gjysmë bëmë për Fierin atë që nuk ishte bërë në 25 vite

TIRANË, 23 mars/ATSH-Maela Marini/ “Në 3 vite e gjysëm, në Fier kemi bërë atë që nuk ishte bërë në 25 vite”, deklaroi sot kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Në fjalën e mbajtur në Kongresin e PS-së, Subashi u ndal te projektet që kanë ndryshuar Fierin.

“Me buxhetin tonë, por dhe me mbështetjen fantastike të qeverisë, në 3 vite e gjysmë rikontruktuam 50 shkolla dhe kopshte në mënyrë duke garantuar kushte më të mira në arsim”, tha Subashi.

Po ashtu, ai veçoi reformën e ujit, një tjetër prioritet të këtij mandati. “Gjetëm fshatra të tëra pa rrjete e ujësjellësa. Ndërtuam 10 ujësjellësa të rinj duke përmirësuar ndjeshëm këtë situatë në qytete dhe fshatra”, tha ai.

Kjo qeveri, tha Subashi, ktheu sytë nga fermeri dhe bujqësia. ‘Si prioritet u vu pastrimi i kanaleve kulluese dhe vaditëse. Falë mbështetjes me flotën e eskavatorëve, në 3 vite e gjysmë vetëm në bashkinë e Fierit u pastruan 500 km kanale dhe u futën në skemën e vaditjes dhe kullimit mbi 35 mijë ha tokë bujqësore”, tha ai.

Krijimi i tregjeve të shitjes me pakicë e shumicë të produkteve bujqësore dhe ndërtimi i shumë rrugëve rurale ishin, sipas tij, “objektivat tanë kryesorë”.

Subashi veçoi programin e rilindjes urbane, një nga gjetjet e qeverisë që i ndryshoi faqen qyteteve tona të zymta, të lodhura, pa shpresë.

“Fieri është rasti më tipik kur nëpërmjet këtij programi, me punë e vizion, në 3 vite e gjysmë kemi bërë atë që nuk ishte bërë në 25 vite. Përveç akseve kryesore të qytetit të rehabilituar plotësisht tashmë Fieri ka një park të ri të ngritur mbi një gërmadhë shumë pranë qendrës së qytetit, si dhe ka një galeri arti nga më të bukurat në Shqipëri”, tha Subashi.

Këto, shtoi ai, janë ndoshta projektet më domethënëse të Rilindjes Urbane në Fier, por nuk mbaron me kaq.

“Qershia mbi tortë, qendra e qytetit dhe rehabilitimi i lumit Gjanica, një projekt fantastik urban dhe arkitektonik që do t’i japë vlerë Fierit, njëlloj si qytetet e bukura europiane sot, që kanë fatin tu kalojë një lumë në qendrën e tyre”, tha Subashi.

Ai garantoi se “nuk do të ndalojmë këtu, por do të vazhdojmë edhe 4 vitet e ardhshme me të njëjtën punë dhe intensitet”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.