Ndreu: 30 qershori, pikënisja e ndryshimit për Lezhën

TIRANË, 23 mars/ATSH/ – Zgjedhjet lokale të 30 qershorit do të jetë pikënisja e ndryshimit për ndryshimin e qytetit të Lezhës.

Kështu u shpreh deputeti i Partisë Socialiste në Lezhë, Pjerin Ndreu në Kongresin e kësaj force politike të mbajtur në Tiranë, duke nënvizuar se drejtimi i bashkisë së Lezhës nga ana e Partisë Demokratike ka rezultuar fatal për këtë zonë.

“PS nuk e drejton bashkinë e Lezhës prej tre mandatesh, çka ka rezultuar fatale për atë qytet. Qytet i cili po venitet, një qytet që ne do ta marrim në dorë dhe do ta tjetërsojë dhe rindërtojmë. 30 qershori duhet të jetë pikënisja e ndryshimit për qytetin e Lezhës, ashtu siç kemi bërë duke dërguar në investimet të rëndësishme në këtë qytet, si në Spitalin e Lezhës, në sistemin energjetik, në rrugën Milot-Balldren, në rrugën e Torovicës, në rrugën Shëngjin-Velipojë, të gjitha këto tregojnë që ne jemi njerëz të punës dhe nuk flemë gjumë”, – theksoi ai.

Gjatë fjalës së tij, deputeti Ndreu, kandidat i PS-së për kryebashkiak në Lezhë  theksoi se bashkia e Lezhës aktualisht po përdor për investime vetëm 4% të buxhetit të saj, duke shtuar se persona të cilët punojnë jashtë shtetit marrin gjithashtu rrogë nga kjo bashki.

“Jam deputeti i Lezhës dhe dua të tregoj modelin e bashkisë që nuk duam. Është pikërisht modeli i Partisë Demokratike me në krye Lulzim Bashën dhe me të gjithë ata të cilët pretendojnë se nesër do të sjellin zhvillim kanë instaluar në qytetin më të bukur në Shqipëri, në qytetin që i ka dhënë gjithë të mirat zoti. Sot bashkia e Lezhës nuk është një godinë shërbimi, por një godinë punësimi për 1200 vetë, ku është organizuar një rrjet i tërë miqsh, shokësh, familjarësh të drejtuesve të bashkisë. Njerëz shkojnë punojnë, jetojnë jashtë shtetit dhe marrin rrogën në bashkinë e Lezhës. Është modeli ku vetëm 4%e buxhetit të bashkisë përdoret për investime, ku paguhen tre herë më shumë rroga sesa merr qyteti për investime. Qyteti ka degraduar në një situatë të atillë që nëse shkon në zemrën e qytetit, është si në “Kandahar” dhe kjo është një fatkeqësi që e ka sjellë PD në drejtimin e bashkisë që s’duam, që është bashkia e Lezhës”, – theksoi Ndreu.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.