Margariti: Investimet në kulturë, motor i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë

TIRANË, 23 mars/ATSH/- Në pesë e vitet e fundit qeveria shqiptare ka demonstruar se të investosh në kulturë dhe në të bukurën është një motor zhvillimi ekonomik.

Kështu u shpreh në fjalën e saj ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në Kongresin e Partisë Socialiste, ku evidentoi se kjo qeveri ka çuar përpara dhjetëra programe rijetësimi të kulturës, trashëgiminë kulturore e ka kthyer në rëndësinë e saj simbolike janë restauruar qendra historike, monumente kulture, janë shtuar muze të rinj e shumë të tjerë do të vijnë më pas.

“Të gjitha këto janë bërë falë vizionit të qeverisë, që ka arritur të shikojë tek kultura një motor të zhvillimit ekonomik. Është vazhduar me kantiere të artit, ku Art Turbina dhe Teatri i Operës dhe Baletit kanë marrë tani një frymë të re falë këtij vizioni. Natyrisht jo gjithçka e bukur mund të lindë e të mbështetet vetëm nga institucionet shtetërore prandaj i është shtrirë dora edhe artistëve të pavaruar. Janë mbështetur në këto vite me projektet e tyre origjinale rreth 800 projekte të tilla”, nënvizoi Margariti.

Sipas saj, është folur,  punuar shumë për të integruar rininë tonë në Europë.

“Edhe pse rinia jonë duhet të themi të vërtetën ka arritur që këtë barrierë ta kalojë shumë shpejt me identitetin e saj urban. Ajo që duhet të shtyjë gjithmonë e më shumë drejt Europës është identiteti ynë unikal kulturor, e bukura e të qenit shqiptar. Sot Shqipëria është vendi, i cili ka frymë europiane, vendi ku fëmijët tanë arritën të ndajnë të njëjtat pasione e ëndrra që shkojnë përtej vendit të tyre”, theksoi ajo.

Sot, vijoi ministrja, ata persona që mundohen të hedhin baltë mbi Shqipërinë, që mundohen ta veshin me një vello të trishtë mediatike do të doja të ndalonin për një cast dhe ta shikonin Shqipërinë e tyre me sytë admirues të vizitorëvë të huaj, që shkelin vendin tonë.

“Këta turistë marrin në sytë e tyre të bukurën e Thethit, Valbonës, Voskopojës, Gjirokastrës, Beratit, vende të cilët kulturën e kanë gjetur të trashëguar dhe e kanë përcjellë më tej si një motor zhvillimi ekonomik. Të bukurën që të huajt e marrin me vete në sytë e tyre është detyrë sot e rinjve ta kthejnë në krenarinë e tyre kombëtare, në të bukurën e të qenit shqiptar”, theksoi Margariti.

Ministrja e Kulturës u shpreh se “kjo është sfida jonë, rinia duhet të shikojë tek identiteti kulturor të ardhmen e këtij vendi”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.