KOMENT – Trump sfidon europianët: Asnjë taksë nëse prodhoni makina në SHBA

UASHINGTON, 22 mars /ATSH-ANSA/ – Ndërsa të gjithë sytë janë drejtuar mbi Kinën, mbi vizitën e presidentit Xi në Itali dhe mbi raundin e ri të negociatave kino-amerikane në Pekin, presidenti amerikan, Donald Trump sfidon Europën.

“Prodhoni makinat tuaja në Amerikë dhe nuk do të ketë taksa”, deklaroi ai.

Më shumë si një hapje, kjo tingëllon si paralajmërimi i fundit për Brukselin dhe Gjermaninë duke pasur parasysh ngecjen e negociatave për rishikimin e raportet tregtare mes dy brigjeve të Atlantikut.

Fantazma që presidenti amerikan vazhdon ta tundë është ajo e taksës prej 25% mbi të gjitha makinat dhe pjesët e ndërrimit për to të eksportuara në SHBA.

”Sepse nuk do të toleroj që të shoh në Fifth Avenue apo përgjatë rrugëve të Uashingtonit kaq shumë BMW apo Mercedes, ndërkohë që amerikanet Chevrolet nuk arrijnë të bëjnë vend në Europë”, shpjegon presidenti Trump.

Sipas të dhënave më të fundit, në raportin e Departamentit amerikan të Tregtisë nuk bëhet më fjalë për atë që është thënë më parë se sektori automobilistik europian përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane, çka justifikoi gjatë muajve të kaluar rritjen e taksave amerikane mbi çelikun dhe aluminin.

Dhe, fjalët e Trumpit duket se e konfirmojnë këtë, edhe pse raporti i sipërcituar ndodhet mbi skrivaninë e Zyrës Ovale dhe nuk është bërë ende publik.

“Rreziqet për sigurinë tonë kombëtare nuk vijnë nga makinat, por nga çekuilibrimi i bilancit tregtar. Dhe, pa një bilanc pozitiv nuk mund të kemi siguri kombëtare”, konfirmon manjati në një intervistë për ”Fox News”.

Më pas, duke iu referuar Kontinetit të Vjetër, theksoi atë që është thelbi i doktrinës ”Amerika e para”.

“Nëse u shisni makina amerikanëve, atëherë prodhojini këtu. Nëse ndërtojnë uzinat e prodhimit të makinave në SHBA, atëherë nuk do të kenë taksa”, theksoi Trump.

Por, është e vështirë që BE dhe Gjermania ta pranojnë një kërkesë të tillë, nëse kemi parasysh se europianët i prodhojnë pikërisht në SHBA makinat që shesin në Amerikë.

E vërteta është që brenda mesit të majit Trump duhet të vendosë se çfarë do të bëjë.

Kjo marrëdhënie tregtare mes SHBA dhe Europës vështirësohet edhe nga fakti se Uashingtoni kërkon një marrëveshje tregtare komplekse, që përfshin edhe prodhimet bujqësore.

Dhe, lidhur me këtë Brukseli nuk lëviz, pasi nuk është i predispozuar të ulë standardet e tij të cilësisë dhe sigurisë ushqimore që në Europë të hyjnë më shumë prodhime bujqësore amerikane./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.