FOTO/Gjylameti: Tiranën e vërtetë e pamë sot në shesh, opozita krijon ngërç artificial

TIRANË, 23 mars/ATSH/ “Tirana e vërtetë ështe ajo që u pa sot në shesh, Tirana e njerëzve që duan punën dhe progresin, jo konfliktin dhe kaosin”, deklaroi sot në studion e ERTV-së, kryetarja e Partisë Socialiste të Tiranës, Blerina Gjylameti.

Ajo që pamë sot, tha Gjylameti, tregoi që kishte një lloj bilanci për çfarë është bërë mirë. “ Dhe Tirana ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm që tregon se jemi në rrugën e duhur. Ne kemi një kontratë për bashkëqeverisje me njerëzit e zakonshëm dhe do i shkojmë asaj deri në fund”, tha Gjylameti.

E pyetur rreth klimës politike në vend dhe se si protestat e dhunshme të opozitës mund të cënojnë imazhin e vendit, Gjylameti tha se, “opozita tenton të krijojë një ngërç artificial”.

“Forcat demokratike duhet të përballen në tempin e demokracisë, parlamentin. Kaosi nuk është realiteti shqiptar, Tirana është një qytet i punës. Protestat janë ushtrim i së drejtës kushtetuese, por jo mjet për të cënuar të mirën e përbashkët”, tha Gjylameti.
Deputetja e Tiranës i bëri thirrje opozitës që t’i kthehet rrugës së dialogut.

“Ne duhet të jemi bashkë për interesin kombëtar, që tani është anëtarësimi në BE. Forcat politike duhet të tejkalojnë interesat politike në emër të interesit kombëtar”, tha Gjylameti./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.