Denaj: Financat vendore, në mbështetje të investimeve të integruara

TIRANE, 23 mars/ATSH/- “Modeli dhe vizioni qeverisës i kësaj mazhorance është orientuar me investime të integruara në të gjithë sektorët si bujqësi, infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe kulturë. Ky është modeli që sjell zhvillim”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, duke folur në Kongresin elektoral të PS-së gjatë panelit “Bashkitë që duam”, tha se, në 5 vite të qeverisjes socialiste, totali i shpenzimeve publike është rritur me 31.8% dhe vetëm totali investimeve publike me 38.4%. Për të tretin vit radhazi buxheti i vitit 2019 vazhdon të mbështes reformën administrative-territoriale dhe atë të decentralizimit”.

Ndër masat më të rëndësishme Denaj përmendi, “miratimin dhe zbatimin rigoroz të ligjit për ‘financat e vetëqeverisjes vendore’ i cili po rrit dhe stabilizon financimin e bashkive të vendit, reformën për taksën e ndërtesave me ngritjen e strukturave të posaçme dhe krijimin e kadastrës fiskale të cilat do kenë efekte të drejtpërdrejta në rritjen e të ardhurave të qeverive vendore”.

Kështu, theksoi ajo, “në buxhetin e vitit 2019, qeverisja vendore do të ketë 11% më shumë burime financiare ose rreth 5 miliard lekë më shumë se sa në vitin 2018.  Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore për vitin 2019, parashikohet të jenë mbi 3.8 miliard lekë më të larta se sa ato të vitit  2018 ose 21% me shume se viti i kaluar dhe mbi 90 përqind më të larta se në vitin 2015”.

“Në projekt-buxhetin e vitit 2019, vend të rëndësishëm zë edhe reforma e financimit të arsimit parashkollor. Për vitin e ardhshëm fondi për pagat e edukatorëve do të rritet 9.1% në krahasim me vitin 2018. Në të njëjtën kohë, do të përmirësohet sistemi i ndarjes së fondeve ndërmjet bashkive duke u përëqëndruar më shumë te numri i nxënësve”, tha Denaj.

Denaj nënvizoi se, arsimi dhe formimi profesional janë një alternative reale dhe drejtimi i duhur si për të rinjtë dhe të rejat, ashtu edhe për të rriturit që synojnë ri-kualifikim dhe ri-integrim të denjë në tregun e punës.

“Arsimi dhe formimi profesional ofrohet në 35 shkolla publike të arsimit profesional dhe 10 qendra publike të formimit profesional. Keto institucione ofrojnë 25 drejtime mësimore, 86 profile profesionale dhe rreth 50 kurse profesionale afatshkurtra 3 deri ne 9 muaj Në vitin akademik 2018-2019, shkollat e mesme profesionale ndiqen nga mbi 19,000 të rinj, nga të cilët rreth 3,100 janë vajza. Ndërkohë që për vitin 2019-2021 është parashikuar të investohet nga buxheti i shtetit për rikonstruksionin dhe pajisjen me laboratorë teknologjik për 12 shkolla profesionale në vend një vlerë prej 2 miliard lekë apo 18 milion dollarë”, tha Denaj.

Për punësimin Denaj tha se “gjithashtu zë një vëmëndje dhe peshë të madhe në politikat tona qeveritare, nuk do të zgjatem shumë por do të citojë vetëm Raportin e para dy ditëve të Bankës Botërore. Raporti konstaton se Shqipëria është vendi me punësimin më të madh në Ballkan, ku nga 68 mijë të punësuar më shumë në të gjithë rajonin, Shqipëria ka kontribuar me 38,700 të tillë. Kjo falë edhe kontributit mbresëlënës të Zyrave të Punës dhe programeve të nxitjes së punësimit të shtrira në të gjithë territorin  me 36 zyra pune me 39 sportele”.

“Njësitë e vetëqeverisjes vendore në buxhetin e vitit të ardhshëm dhe në vitet në vijim, duhet të rrisin nivelin e menaxhimit financiar. Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet një partner i rëndësishëm në ndihmë të njësive vendore per te arritur objektivat madhore të këtij viti buxhetor”, tha Denaj.

“Puna e mbarë që është bërë në këtë pjesë të mandatit tonë provon epërsinë e padiskutueshme të programit tonë, mishëron vlerën e një skuadre të përkushtuar dhe meritën e drejtimit të Financave e të ekonomisë për këto vite nga kolegu im Ahmetaj. Konkretisht kuadri makroekonomik stable tregohet mes shifrave, deficiti buxhetor në vitin 2019 parashikohet më i ulëti i targetuar në dy dekada, në nivelin 1.9%. Për të katërtin vit rradhazi, borxhi publik vazhdon në rënie duke synuar nivelin e 64.9% në fund të këtij viti. Investimet publike dot jenë në nivelin 5% të PBB”, tha Denaj.

/gj.mima/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.