ADISA, 10 zyra të tjera ‘one stop shop’ në bashkitë e vendit

TIRANË, 23 mars/ATSH/-Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) ka në plan të hapë edhe 10 zyra të tjera ‘one stop shop’ në bashkitë e vendit.

Kështu deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi, në panelin “Për bashkitë që duam”, të organizuar në kuadër të kongresit të Partisë Socialiste.

“Në kuadër të reformimeve të shërbimeve kemi punuar dhe vazhdon përsëri reforma me rrijten e aksesit në mënyrë që të kemi sa më shumë zyra one stop shop. Së bashku me ADISA dhe projektin Star të agjencisë po funksionojnë më së miri deri në fund të të muajit 5-6 zyra të ADISA, që janë zyra me një ndalesë të shërbimeve qendrore, por që janë të lokalizuara në bashkitë që kanë më shumë transaksione. Ne kemi filluar me Fierin, Tiranën, Kavajën, Girokastrën, Krujën dhe së fundmi do hapet në Shkodër”, – nënvizoi Mesi.

Por, vijoi ajo, suksesin do e shikojmë me dy zyra që i kemi hapur së fundmi, njëra në dhjetor dhe tjetra para pak javësh, falë edhe nismës së bashkive, në Belsh dhe Maliq ku dy kryetarët për herë të patë bënë të mundur bashkimin e dy zyrave one stop shop , pra një zyrë e vetme që ofron shërbime të nivelit qendror qoftë të vetë bashkive.

“E shikoj të rëndësishme që qytetarët në bashki të trokasin vetëm në një derë. Kjo është ajo që doja të ndaja në kuadër të reformës publike. ADISA ka në plan të saj të hapë 10 zyra të tjera , ndërsa bashkë me projektin Star janë 14 zyra të tjera me një ndalesë që parashikohen të hapen brenda këtij viti”, – theksoi Mesi.

Deputeja Mesi u shpreh se “këto dy projekte duhet të punojnë së bashku me qëllim që këto zyra të mos hapen të veçanta. Gjithë përpjekja dhe buxhetet, qofshin nga agjencia e vetëqeverisjes vendore bashkë me projektin Star, përpjekjet dhe buxheti i ADISA-s të shkojnë së bashku me qëllim që 14 apo 15 bashkitë të kenë zyrë me një ndalesë e qytetarët ti marrin ato shërbime sa më shpejt e sa më mirë”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.