32 mijë vende pune, Shqipëria e para në rajon

TIRANË, 23 mars/ATSH-Maela Marini/ Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, në Shqipëri është krijuar më shumë se gjysma e vendeve të reja të punës që janë krijuar në rajon gjatë vitit 2018.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa renditi edhe progresin që është bërë në shumë fusha gjatë viteve të fundit.

Duke cituar raportin e fundit të Bankës Botërore, Rama tha se “papunësia ka rënë në nivelin historik 12%, duke u bërë vendi me papunësinë më të ulët në rajon sipas BB-së”.

“Kemi bërë shumë, por më shumë akoma duhet bërë. Për ta ndërtuar Shqipërinë që duam duhet të luftojmë çdo ditë e më shumë, të reformohemi në çdo drejtim”, tha Rama.

Shqipëria që krijon 32 mijë vende pune dhe që renditet e para në rajon, sipas Ramës, “është Shqipëria që kemi ndërtuar”.

Po ashtu, Kryeministri u ndal te situata ekonomike në vend. “Në 4 vite ne dyfishuam eksportet de kemi arritur në 300 milionë euro në vit eksporte. Kemi dyfishuar sipërfaqen e ujitur duke dyfishuar sistemin e kanalizimit dhe ujitjes”, tha Rama.

Po ashtu ai theksoi se “çdo javë janë përzënë nga administrata nëpunës të korruptuar dhe sot ka vende për studentët ekselentë”.

“Populli e vendos se kush i fiton dhe kush i humbet zgjedhjet dhe zgjedhjet e 30 qershorit do të vendosin jo vetëm çfarë bashkish duam sot, por edhe çfarë Shqipërie duam nesër”, shtoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.