Festa e Sulltan Nevruzit, bashkia e Tiranës shërben drekën për personat në nevojë

Veliaj: Mandatin tjetër do hapim më shumë qendra dhe mensa sociale.

TIRANË, 22 mars/ATSH/ – Bashkia e Tiranës zgjodhi që festën e Sulltan Nevruzit të komunitetit bektashi ta kalojë pranë të moshuarve, njerëzve në nevojë dhe atyre me aftësi të kufizuara. Ashtu siç është tashmë traditë, edhe në këtë festë të rëndësishme për komunitetin bektashi,  bashkia e Tiranës shtroi një drekë festive për të gjithë personat që frekuentojnë mensat sociale të kryeqytetit.

Festës iu bashkua edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i shoqëruar nga Valbona Selimllari, shërbeu drekën në mensën e re sociale “Gonxhe Bojaxhi”, e hapur në Njësinë 4.

“Gëzuar festën e Sulltan Nevruzit, është një nga festat më të rëndësishme! Por, një nga gjërat më të bukura me qenë shqiptar është se ne i festojmë të gjitha, edhe Sulltan Nevruzin, edhe Bajramin, edhe Krishtlindjet, edhe Pashkët. Jo vetëm për ata që janë bektashinj, por edhe gjithë të tjerët që festojnë ditën zyrtare të pranverës, e paçi gjithë jetën të lumtur. Pranverë e mbarësi. Shëndet e gëzuar”, tha Veliaj në urimin e tij.

Ai u shpreh se bashkia e Tiranës i ka dhënë një rëndësi të veçantë personave në nevojë, ndërsa theksoi se mensat sociale që janë hapur në Tiranë janë kthyer në një histori suksesi, sa i përket kujdesit që tregojnë për të pamundurit.

“Jam shpresëplotë, që ashtu si mandatin e parë kishim zero qendra sociale e mensa, dhe tani kemi 7, mund të bëjmë 7 të tjera, e 7 të tjera, sepse vërtet Tirana ka shumë progres, por ka dhe shumë nevoja. Në qoftë se secili nga ne shërben, ndihmon, kontribuon, qyteti ynë bëhet më i mirë”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, kryetari i bashkisë theksoi se edhe mensa sociale “Gonxhe Bojaxhi” është kthyer një nga qendrat ku çdokush mund të gjejë mbështetje dhe një vakt të ngrohtë.

“Më bëhet zemra mal sa herë vij te kjo qendër sociale sepse takoj shumë prej jush, dhe më vjen mirë që vazhdon shërbimi e puna në komunitet. Mbaj mend para 4 vitesh kur ky vend nuk ekzistonte fare, por ishte Bregu i Lumit, dhe e vetmja telefonatë që më bënte administratorja e njësisë ishte për të më thënë: O kryetar, u përmbytëm prapë! Tani na duket sikur kjo ka ndodhur para 100 vjetësh, sepse jo vetëm është rregulluar lumi, por fjala Bregu i Lumit nuk është më fjalë e keqe, është një vend për së mbari, ku janë bërë rrugët, ku është bërë shkolla fantastike “Ardian Klosi”, ku janë bërë terrenet sportive; më vjen mirë që ka filluar edhe qendra multifunksionale për fëmijët”, u shpreh ai.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.