Panuçi: Respekt dhe jo frikë ndaj Turqisë, synojmë fitoren

TIRANË, 21 mars/ATSH/ – Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Kristian Panuçi në konferencën për shtyp të dhënë në prag të ndeshjes me kombëtaren e Turqisë, theksoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të fituar takimin.

Duke shprehur respekt për kombëtaren turke dhe jo frikë, Panuçi kërkoi nga lojtarët e tij që të japin maksimumin në këtë takim.

“Sa u takon sulmuesve të tyre, kam mbrojtës të mirë që luajnë në kampionate të mirë dhe do të bëjnë gjithçka për të ndalur Çalhanoglun dhe Jillmazin, sepse i kam parë të karikuar këtë javë. Ne kemi cilësitë tona, do t’i vëmë në fushë. Herën e fundit që kemi luajtur ndaj Turqisë, e kemi mundur, lojtarët duhet të japin gjithçka në këta 95 minuta lojë. Kemi respekt, por jo frikë. Është e vërtetë që kanë një skuadër të fortë, por nëse lojtarët kundërshtarë janë në presion për 90 minuta, do të marrim një rezultat pozitiv. E dimë që është e vështirë, por shpresojmë”, u shpreh Panuçi.

Trajneri i Kombëtares foli edhe për situatën e lojtarëve të grumbulluar.

“Kanë punuar mirë. Është ambient mirë. Djemtë janë gati për ta luajtur këtë ndeshje. Të shikojmë nesër. Ka ardhur Sadiku, edhe pse nuk është mirë, kemi lojtarë që kanë bërë gola. Mjafton edhe 1 gol për të fituar ndeshjen. Kemi Sadikun, Balaj ka gjetur golin, kemi Grezdën dhe Abazajn gjithashtu”, u shpreh ai.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.