Nikolla: Vëmendja si kurrë më parë drejt fshatit

TIRANË, 21 mars/ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, theksoi sot se “investimet e kësaj mazhorance nuk kanë ndjekur votën, por vota për këtë mazhorancë ka kthyer vëmendjen si kurrë më parë drejt fshatit”.

Gjatë diskutimeve në Kuvend për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin teknik 2017 për projektin “Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale”, Nikolla tha se “fshati nuk ka qenë prioritet më parë, sot zhvillimi rural është në vëmendje të veçantë të qeverisë, madje në një prej programeve më të rëndësishme të saj siç është ai i ‘100 fshatrave’ është rezultat i investimeve të përbashkëta të katër ministrive”.

Duke u folur për çfarë ka bërë qeveria për përmirësimin e zonave rurale të qarkut të Lezhës, ku përfshihet bashkia Lezhë, Mirditë dhe Kurbin, Nikolla theksoi se “është vënë në funksionim nyja e Milotit, brenda vitit përfundojnë edhe rrugët dytësore që i japin zgjidhje përfundimtare aksesit të komuniteteve lokale rurale, është në fazën e nënshkrimit kontrata e investimit të 165 milionë eurove për aksin Milot, Balldren, brenda vitit do të jenë aktive kantieret e kësaj vepre”.

“Po ashtu ka përfunduar rruga Klos-Domgjon, Rrëshen-Bukëmirë, si dhe disa rrjetet kanale vaditëse si sistemi i vaditjes Malaj 1 me kapacitet vaditje 300 ha, Malaj 2 me kapacitet 800 ha. Është investuar në infrastrukturë energjetike duke ndërtuar linjën e energjisë Ulëz-Shkopet, Skurraj, ndërtua 120 km linjë tensioni i mesëm dhe ulët dhe rikonstruktua 40 kabina, nga të cilat 4 në Kune dhe 10 në zonën e Shëngjinit. Në Laç janë ndërtuar 4 fidera të rrjetit 20 kV dhe janë shtruar 2 km linjë tensioni i mesëm, janë instaluar 38 kabina nga të cilat 4 në zonën e Sanxhakut dhe 5 në zonën e Mamurrasit”, u shpreh Nikolla.

Sipas saj, për 3 vitet e ardhshme OSHEE ka plainfikuar 2.9 miliardë lekë investime të mëtejshme në qarkun e Lezhës.

“Gjithashtu nga FSHZH po investohen 1.3 milionë euro në dy fshatra të bashkisë Lezhë në Kallmet i Madh dhe Kallmet i Vogël, ku pritet furnizimi me ujë 24 orë i 4153 banorëve brenda vitit 2019. Kanë përfunduar punimet për rehabilitimin e dunave në lagunën Kune Vain me vlerë 15.8 milionë lekë, ka përfunduar ndërtimi i kanalit pritës në lagunën Kune Vain me 40.6 milionë lekë”, nënvizoi ajo.

Nikolla u shpreh se “109 fermerë kanë përfituar 19 milionë lekë nga skema mbështetëse për zhvillimin rural, një tregues i rëndësishëm për përmirësimin e potencialit turistik në hapësirat rurale janë 5 fshatrat në kuadër të projektit “100 fshatrat”, Ishull Lezhë, Fishtë, Skuraj, Katund i vjetër dhe Orosh. Sot “Mrizi i Zanave” është një model zhvillimi dhe një krenari për çdo të ftuar që ne kemi dëshirë t’i servirim mikpritjen tonë”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.