Kuvendi miratoi me 82 vota pro disa projektligje të rëndësishme

TIRANË, 21 mars /ATSH/ – Nën drejtimin e Kryetarit Gramoz Ruçi, Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të së enjtes miratoi dy projektligje dhe tre projektvendime të rëndësishme.

Në nisje të seancës, Ruçi bëri me dije disa projektligje të depozituara në Kuvend nga Këshilli i Ministrave.

Seanca vijoi me betimin e deputetëve të rinj të opozitës, Ralf Gjoni, Enada Koçiraj dhe  Nimet Musaj, të cilët pas marrjes së mandateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bënë betimin.

Më pas, në seancë u paraqit Raporti i veprimtarisë vjetore të Entit Rregullator të Ujit për vitin 2018, nga kreu i këtij institucioni Ndriçim Shani, që më pas u miratua me 73 vota pro dhe 5 kundër.

Seanca vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.

Ky projektligj u miratua me 82 vota pro, asnjë kundër.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin teknik 2017 për projektin “Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale”, u votua me 82 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Seanca vijoi me votimin e Projektvendimit “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”. Pas diskutimeve projektligji u miratua me 73 vota pro dhe 4 kundër.

Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në komisionet e përhershme” u miratua me 82 vota pro, asnjë kundër.

Seanca i mbylli punimet me miratimin e kalendarit 3-javor.

e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.