Klosi: Frenojmë shfrytëzimin informal të pyjeve dhe kullotave

TIRANË, 21 mars /ATSH/ – Sektori i Pyjeve ka qenë vazhdimisht objekt i ndryshimeve si rezultat i reformës territoriale, decentralizimit apo programeve të tjera institucionale, për rrjedhojë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ndërtuar një strategji të qëndrueshme dhe analizë të thellë në këtë sektor.

Një nga këto është projekti i regjistrimit të pyjeve dhe kullotave që po zbatohet në të gjithë Shqipërinë, i cili do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në aspektin politik, ekonomik dhe social të vendit. Më në fund bëhet realitet kalimi i pronësisë së pyjeve dhe kullotave tek bashkitë.

“Është një proces që nuk ka qenë i lehtë, proces që ka vite që projektohet por që tashmë ne kemi fillimet e para të disa rezultateve konkrete. Ajo që shikojmë në hartën e Shqipërisë, është që vetëm një pjesë e saj është e mbuluar nga kjo fazë e parë e projektit, por që kjo pjesë padyshim përfaqëson edhe një nga potencialet e vërteta të fuqisë sonë pyjore. Po të shikosh në hartat e tjera të këtyre 19 bashkive, edhe në këtë hartë që është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe në 728 zona kadastrale vetëm një pjesë e tyre janë regjistruar”, tha ministri Klosi.

Ai pranon se ka ende një sërë zonash të tjera të cilat akoma nuk i kanë zgjidhur problematikat e tyre.

“Ne sot do të dorëzojmë certifikatat e para simbolike për bashkinë e Kolonjës duke shënuar kështu fillimin e një procesi për të gjithë Shqipërinë. Kryetarët e bashkive, nga sot janë posedues realë në zyrat e gjendjes civile me këto pyje dhe mund t’i shfrytëzojnë ato si pasuri të vërtetë. Sa është mundësia që kryetarët e bashkive dhe gjithë komuniteti të shfrytëzojnë këtë lëndë drusore dhe të prodhojnë nga kjo ekonomi”, tha ministri Klosi, nga Kolonja.

Sipas ministrit, krijimi i kësaj mundësie të re ligjore synon të frenojë deri në eliminimin përfundimtar shfrytëzimin informal të pyjeve dhe kullotave, por krijon edhe hapësira të reja për investime, do të rrisë numrin e të punësuarve si dhe do të zhvillojë taksën e pasurisë së paluajtshme si burim i rëndësishëm i të ardhurave të njësive të qeverisjes vendore. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.