FOTO/ Prezantohet uniforma e re e Kombëtares

TIRANË, 21 mars /ATSH/ – Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar uniformën e re të kombëtares për vitin 2019-2020, që përkon me kualifikueset e EURO 2020.

Shqipëria do të fillojë me uniformën e re, të kompanisë “Macron” pikërisht ditën e premte, datë 22 mars, në ndeshjen e parë të këtyre eliminatoreve ndaj përfaqësueses turke në stadiumin “Loro Boriçi” Shkodër.

Të pranishëm në këtë event ishin drejtuesit më të lartë të FSHF, figura të futbollit shqiptar, sponsorë dhe medie kombëtare.

Në fjalën e tij, presidenti Armand Duka, theksoi se “prezantimi i uniformës së Kombëtares, për dikë mund të duket një punë formale, por kompania ‘Macron’ ka kryer një punë kolosale. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar në këtë javë të rëndësishme, ku kemi prezantuar edhe sponsorin gjeneral, Vodafone Albania, si edhe sponsorë të tjerë.

“Të gjitha këto shpresoj që të sjellin një paraqitje të mirë të ekipit përfaqësues. Uroj që ndeshjen e parë ndaj Turqisë të kemi sukses dhe ta nisim me këmbën e mbarë. Po ashtu i uroj shumë suksese edhe sponsorit tonë ‘Macron’, i cili në çdo rast na është përgjigjur për kërkesat që kemi pasur. Edhe njëherë faleminderit dhe ditën e premte shpresoj që të gjithë bashkë të gëzojmë me një rezultat pozitiv të ekipit tonë kombëtar”, tha Duka.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.