Shfrytëzimi i gurit gëlqeror në Maliq, qeveria miraton vendimin

TIRANË, 20 mars/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot heqjen nga fondi pyjor dhe kullosor publik të një sipërfaqeje prej 12 ha që do të përdoren nga “Devoll Hydropower” sh.a. për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në objektin “Popçisht”, bashkia Maliq.

Sipas këtij vendimi, vlerat përkatëse të volumit të materialit drusor, të produkteve të tjera pyjore dhe kullosore dhe të investimeve të kryera në vite, në sipërfaqen objekt minerar, paguhen nga “Devoll Hydropower” sh.a., në llogarinë rrjedhëse të bashkisë Maliq.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, “Devoll Hydropower” sh.a. detyrohet të rehabilitojë sipërfaqet sipas kushteve të lejes mjedisore dhe të pyllëzojë, me fondet e veta, një sipërfaqe pyjore prej 12 ha, në ngastrat e përcaktuara në marrëveshje me bashkinë Maliq.

Bashkia Maliq dhe “Devoll Hydropower” sh.a. duhet të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit jo më vonë se 60 ditë, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. /m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.