Protestat e opozitës, Nikolla: Shqetësimi i vetëm, cenimi i procesit të integrimit në BE

TIRANË, 20 mars /ATSH/ – “Është e pamundur që aktorët që pak vite më parë ushtruan dhunë në bulevard të marrin pushtetin me dhunë”.

Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla duke folur në një intervistë televizive për protetat e opozitës theksoi se, “këto protesta të dhunshme dhe këto akte të paprecedent të opozitës bëjnë që të kemi një ulje direkte të konsumit”. Pra, tha ajo, goditet biznesi i vogël që Basha e Kryemadhi e kanë kryefjalë. “Investimet e huaja tronditen dhe kërkojnë të largohen nga Shqipëria duke ulur mirëqenien e shqiptarëve”, theksoi Nikolla.

“Opozita është në të drejtën e vet për të protestuar por dhuna nuk mund të jetë mjet. Kushdo që i bashkohet dhunës, i bashkohet regresit, rënies ekonomike, dëmit të imazhit. Kërkesa për dialog që bëhet nga mazhoranca ka të bëjë me barazinë në zgjedhje. Ne kemi qenë të gatshëm për të nënshkruar Kodin Zgjedhor. Shqiptarët e kanë kuptuar se maskat kanë rënë dhe e kanë kuptuar se politikanët e vjetër i tremben drejtësisë së re, siç i tremben humbjes së radhës. Ndaj dalin nga sistemi për të bërë prapa kthehu të rrugës së Shqipërisë”, theksoi Nikolla.

Sipas saj parlamenti është legjitim. “Pamjet flasin vetë për dhunën e paprecedent ndaj punonjësve të policisë. Përkundrazi punonjësit e policisë kanë treguar akte vetëpërmbajtjeje ndërsa turma i godiste. Është një parlament legjitim, i dalë nga zgjedhje legjitime”, tha deputetja e PS.

Për deputetët e rinj të futur në Kuvend, Nikolla theksoi se, “këto janë deputetë të listave që kanë një renditje që e vendos kryetari i partisë, por secili prej tyre ka pasur zonën e vet dhe janë deputetë që janë në ato lista. Unë i referohem deputetëve të PS, pikërisht për integritetin e tyre dhe për potencialet e tyre dhe besoj e njëjta logjikë ka qenë edhe në partitë e tjera”.

E pyetur nëse mazhoranca është e shqetësuar nga protestat, Nikolla tha se, “drojë, dilemë apo shqetësimi ka të bëjë vetëm me faktin se sa më shumë zhvillohen protesta të tilla të dhunshme, aq më të vështirë e kemi rrugëtimin tonë drejt BE. Kjo është droja e vetme që kemi. Ndërsa për të tjerat jemi të vendosur të vijojmë rrugën e reformave”.

Në lidhje me Paktin për Universitetin, Nikolla tha se, “protesta e studentëve bëri që, qeveria si kurrë më parë ta ketë prioritet Arsimin e Lartë. Bëri dhe atë që tregoi se, çfarë mund të arrihet përmes dialogut. Studentët kishin 8 kërkesa, ndërkohë që Pakti për Universitetin ka tejkaluar 13 dhe falë angazhimit të të gjithëve vijon të rritet”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.