Këshilli Drejtues i RTSH-së, rishpallen 3 vende vakante

TIRANË, 20 mars /ATSH/ – Kuvendi i Shqipërisë ka rishpallur 3 vendet vakante për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pas kalimit të afatit 30-ditor të shpalljes së 3 vendeve vakante për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe mosplotësimit të numrit të kandidatëve të përcaktuar nga ligji (4 kandidatë për çdo vend vakant), vendosi rishpalljen e tre vendeve vakante.

Kuvendi fton për paraqitjen e kandidaturave për anëtar të Këshillit Drejtues të RTSH-së, shoqatat dhe grupimet e medieve elektronike; shoqatat e medias së shkruar; profesoratin dhe shoqatat e inxhinierisë elektrike dhe elektronike; profesoratin e së drejtës, gazetari-komunikimit dhe ekonomisë, shoqatat e juristëve dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë; organizatat jofitimprurëse që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave të fëmijëve ose kërkimeve në politikat publike, ose përfaqësues të shoqatave që veprojnë në fushën e mbrojtjes së personave me aftësi të kufizuar.

KDRTSH-ja përbëhet nga Kryetari dhe 10 anëtarë.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.