ERTV shkon në laboratorin e Steve Jobs-ave shqiptarë, 10 projektet më inovatore do të shkojnë në Silicon Valley

TIRANË, 20 mars/ATSH/ Për të gjithë të rinjtë që zotërojnë aftësi të larta teknologjike, studentë të teknologjisë së informacionit dhe themelues të start up-eve, tashmë ka një mjedis në Tiranë ku mund të zhvillojnë idetë e tyre.

TECHSPACE, qendra e ngritur pranë Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, do t’i shërbejë të gjithë të rinjve që ndër të tjera, duan të ndjekin edhe kurse, apo të mentorohen nga profesionistët më të mirë të fushës.

Gjatë një interviste për ERTV-në, e cila kësaj here nuk u zhvillua në studion e zakonshme, por në mjediset e TECHSPACE, drejtoresha e kësaj Agjencie, Linda Karçanaj, tha se në këtë mjedis inovator, të rinjtë mund të përdorin mjetet e teknologjisë së fundit për të zhvilluar projektet e tyre inovatore.

Karçanaj kujtoi edhe premtimin e Kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit, në harkun kohor të një viti pune, 10 projektet më të mira që lindin nga TECHSPACE, do të shkojnë në Silicon Valley të California-s, një destinacion fantastik për të gjithë profesionistët e teknologjisë.

“Sot nën moton ‘Mëso, Krijo, Guxo’, është krijuar një ambient bashkëkohor për të gjithë ata që duan të zhvillojnë produkte inovative. Të gjitha grupimet e start up-eve mund të gjejnë këtu një shtëpi ku mund të përdorin bazën softuerike dhe harduerike. Të rinjtë do të kenë mundësinë të trajnohen jo vetëm nga ekspertë dhe profesionistë të AKSHI-t por edhe nga ata që do të mbërrijnë nga Microsoft. Vetëm në një muaj ne kemi patur 350 të regjistruar në TECHSPACE. Janë rreth 100 studentë dhe start up-e që çdo ditë punojnë mbi tri orë të ditës së tyre këtu. Janë regjistruar edhe start up-et e para që vijnë me produkte inovative, si përmirësimin e prototipit të syzeve që i vijnë në ndihmë personave të verbër”, tha Karçanaj. /m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.