Tabaku: Bizneset paguajnë më shumë taksa

TIRANË, 19 mars /ATSH – I. Vata/ – “Bizneset paguajnë më shumë taksa, pasi taksa e pronës është një formë e re që po përdoret për ta vënë në vështirësi biznesin”, deklaroi sot, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Tabaku thekson se taksa e pronës është një nga format e reja të cilat qeveria po përdor për t’i vështirësuar punën bizneseve.

“Para disa ditësh një biznes në qytetin e Elbasanit më paraqiti disa fatura të pagesave të kryera nga ai në lidhje me taksën e pronës. Rezulton se biznesi ka paguar në vitin 2019 rreth 5000 lekë më shumë taksë për pronën se sa një vit më parë. Sipas të dhënave të QKR ky biznes është një sipërmarrje familjare e vogël. Ai futet në grupin e atyre bizneseve që kanë të punësuar 1 në 4 veta dhe që mban me bukë një familje. Të dhënat e INSTAT tregojnë se Elbasani është një nga qytetet më të varfra në vend, ndërsa bizneset e vogla mbyllen për shkak të uljes së xhiros dhe rritjes së taksave”, tha ajo.

Sipas Tabakut, qeveria i ka skllavëruar tanimë bizneset, i përdor ato si një mjet për të paguar PPP-të që u ka falur oligarkëve me kontrata të dyshimta.

“Kjo mazhorancë nuk beson tek sipërmarrja e lirë, nuk beson tek tregu i lirë. Ne duhet t’i japim fund skllavërimit të punës dhe skllavërimit të sipërmarrësve. Shqiptarët nuk janë skllevërit e oligarkëve dhe as të mazhorancës. Jam e sigurt që ka prova të tjera të shumta që dëshmojnë rritjen e taksës së pronës. Kushdo që ka prova është i/e lutur të sjellë një foto të faturave ndër vite në inbox”, shprehet ajo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.