Skema Kombëtare 2019, Çuçi: Mbështetje programit “100 fshatrat”

TIRANË, 19 mars /ATSH/- Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë për vitin 2019, adreson një vëmendje të veçantë për programin “100 fshatrat” që synon zhvillimin e agroturizmit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, u shpreh sot se “nuk është e vërtetë që është ulur fondi për skemat kombëtare të vitit 2019, por thjesht është bërë një formatim i buxhetit, për të mbështetur programin “100 fshatrat”.

Qeveria ka miratuar tashmë kriteret bazë të sektorëve që do të mbështeten si dhe masën e financimit nga fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për vitin 2019.

Sipas vendimit, shuma prej 495 milionë lekësh do të përdoren për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale e të peshkimit dhe uljen e kostove të prodhimit; mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve në zonat rurale, si dhe për mbështetjen e Fermës Didaktike Eksperimentale, të Universitetit Bujqësor të Tiranës, për trajnimin dhe transferimin e njohurive në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.

Ndërkohë, 125 milionë lekë janë parashikuar të përdoren për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, përmirësimin e mekanizmit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit. /e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.