Programi IPARD II, shtohen lehtësitë për fermerët që duan të përfitojnë financim

TIRANË, 19 mars /ATSH/- Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u zhvillua sot takimi i katërt i Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD II, me pjesëmarrjen e ministrit Bledi Çuçi, shefit të Njësisë së programit IPARD, Liam Bresli, shefit të Seksionit të Operacioneve në Delegacionin e BE-së, Stephen Stork, drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Frida Krifca dhe shumë zyrtarëve të tjerë.

Gjatë fjalës së tij ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi tha se, “ky takim është një moment shumë i rëndësishëm për të riafirmuar edhe njëherë përkushtimin maksimal të palës shqiptare për të çuar përpara Programin IPARD, si një mundësi e artë për mbështetjen e sektorit bujqësor e rural në Shqipëri”.

“Suksesi i Thirrjes së parë gjatë vitit 2018 dëshmohet tek numri i aplikimeve dhe granti total i kërkuar në shumën prej 56 milionë euro. Ishin në total 317 aplikime. Ne jemi shumë optimistë për këto aplikime. Shumica e aplikimeve janë përqendruar në rajonin e Fierit, Korçës, Tiranës, Durrësit dhe Beratit”, u shpreh ministri Çuçi gjatë këtij takimi.

Më tej ai foli për rritjen e kapaciteteve pranë AZHBR-së dhe krijimin e të gjitha lehtësive për fermerët që aplikojnë për të përfituar grante nga ky program.

/e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.