KiE: Shqipëria të forcojë mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve

STRASBURG, 19 mars /ATSH/ – Në opinionin e tij për Shqipërinë, Komiteti Këshillues i Këshillit të Europës për Konventën Kuadër mbi Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare (FCNM), i kërkon Tiranës të bëjë funksional ligjin vendas mbi mbrojtjen e pakicave kombëtare nëpërmjet miratimit të një legjislacioni shtesë.

Duke shqyrtuar progresin e bërë dhe duke dhënë rekomandime në bazë të vizitës së vitit të kaluar, Komiteti këmbëngul se parimi i vetidentifikimit të lirë duhet të respektohet rreptësisht dhe se autoritetet duhet të ndalojnë të mbështeten ekskluzivisht në të dhënat arkivore dhe në regjistrin e gjendjes civile për verifikimin e vetëdeklarimeve të personave që u përkasin pakicave kombëtare.

Romët dhe egjiptianët vazhdojnë të vuajnë nga pabarazia dhe diskriminimi, veçanërisht në nivel lokal. Duhen bërë përpjekje shtesë për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës, qasjen në punësim, arsimin dhe kujdesin shëndetësor dhe për të promovuar integrimin e tyre në shoqëri. Duhet gjithashtu të sigurohen fonde adekuate për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit 2016-2020 për integrimin e romëve dhe egjiptianëve.

Opinioni gjithashtu thekson nevojën për të siguruar pakicat kombëtare më të vogla numerike me qasje në arsim në gjuhët e pakicave dhe furnizim më adekuat me tekste shkollore.

Rekomandime të tjera përfshijnë sigurimin e fondeve për projekte infrastrukturore që prekin pakicat kombëtare; mbrojtjen e grave dhe fëmijëve që u përkasin komuniteteve të prekshme nga shfrytëzimi dhe abuzimi dhe sigurimin e qasjeve të tyre për ndihmë juridike dhe drejtësi; zgjerimi i transmetimit publik në gjuhët e pakicave; fuqizimi i këshillave të komuniteteve për të vendosur mbi përdorimin e gjuhëve të pakicave në marrëdhëniet me autoritetet administrative dhe për treguesit topografikë; miratimin e rregullave dhe procedurave për themelimin dhe funksionimin e Komitetit për Pakicat Kombëtare; dhe rishikimin e ligjit për pakicat kombëtare për krijimin e mekanizmave konsultativë në nivel lokal./ /p.s./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.