Futbolli shqiptar, zhvillime të mëdha gjatë viteve të fundit

TIRANË, 19 mars /ATSH/ – Futbolli shqiptar ka njohur zhvillime të mëdha gjatë viteve të fundit.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka takuar në ambientet e institucionit të futbollit, ambasadorin e Hungarisë në Tiranë, Lorant Balla.

Bashkëpunimi i mëtejshëm për futbollin ishte në qendër të bisedës mes ambasadorit, presidentit të FSHF-së dhe sekretarit të përgjithshëm, Ilir Shulku.

Gjatë takimit presidenti Duka njohu ambasadorin Balla me zhvillimet e mëdha që ka njohur futbolli shqiptar gjatë viteve të fundit, e që njohën kulmin me kualifikimin historik të Shqipërisë në finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”, me investimet në infrastrukturën sportive si edhe me përgatitjet aktuale që po kryen ekipi përfaqësues për këto eliminatore, të EURO 2020.

Balla, është një njohës i shkëlqyer i shqipes dhe shqiptarëve, pasi më herët ka shërbyer edhe si ambasador i Hungarisë në Kosovë.

Presidenti Duka falenderoi Ambasadorin e Hungarisë për mbështetjen dhe për kujdesin që ai po tregon në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në aspektin sportiv, si edhe e ftoi që të jetë edhe ai në stadium për të ndjekur ndeshjen e ditës së premte, datë 22 mars, Shqipëri-Turqi ora 20:45 në stadiumin “Loro Boriçi”, e vlefshme për EURO 2020.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.