Klosi: Nuk do ketë asnjëherë TEC në Korçë, revokimi është i përhershëm

TIRANË, 18 mars/ATSH/ – Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë aktivitetit “Krijo oksigjenin tënd” të zhvilluar sot në qytetin e Ersekës, deklaroi se në qytetin e Korçës nuk do të ndërtohet asnjë termocentral (TEC) dhe se vendimi i Ministrisë për revokimin e lejes mjedisore, është i pakthyeshëm dhe i përhershëm.

“Jemi këtu së bashku me kryetarin e bashkisë së Korçës, pas një diskutimi të gjatë që kemi bërë edhe me banorët e zonës për TEC-in me avull në qytetin e Korçës dhe mendoj që revokimi i përhershëm, i plotë dhe i pakthyeshëm nga Ministria e Mjedisit ka qenë një veprim krejtësisht i denjë nga pikëpamja inxhinierike, pasi ekspertët arritën të kuptonin që nuk kishte mundësi që afër qytetit të kishim një TEC të tillë, pasi krijonte shumë problematika mjedisore për qytetin, po ashtu pamë edhe opinionin e qytetarëve të cilët janë shumë më tepër të mbrojtje të natyrës, gjelbërimit dhe shumë larg ndërtimeve të tilla pranë qyteteve. Ai TEC pranë qytetit të Korçës nuk do të bëhet asnjëherë”, tha ministri Klosi.

Kryetari i bashkisë së Korçës vlerësoi vendimin e ministrit Klosi për të ndaluar ndërtimin e TEC-it në afërsi të qytetit, duke ritheksuar se vendimi është i pakthyeshëm.

“Ishte një projekt për të cilin ne si bashki e kemi shprehur qëndrimin tonë në vazhdimësi, projekt i cili në pozicionin ku ishte propozuar dhe me masat që parashikonte, cenonte nga ana mjedisore qytetin e Korçës. Korça është një qytet që ka në fokus turizmin, zhvillimin turistik dhe ky TEC në pozicionin e propozuar, ne besojmë se e cenonte këtë perspektivë turistike të qytetit tonë”, u shpreh kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Ministri Klosi, bashkë me nxënës, kryetarin e bashkisë së Korçës, kryetarin e bashkisë së Kolonjës dhe prefektin, nisën mbjelljen e 200 pemëve gështenjë dhe akacie, që prodhojnë jo vetëm oksigjen, por edhe ekonomi, punësim dhe mirëqenie për qytetin e Ersekës.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.