Hetimi i prokurorëve, Marku: Kuvendi të miratojë sa më shpejt ndryshimet ligjore

TIRANË, 18 mars /ATSH/ – Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka bërë thirrje nga Durrësi që Kuvendi të miratojë sa më shpejt ndryshimet ligjore që nevojiten pas vakumit të lënë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedimet disipilinore ndaj magjistratëve.

E pranishme në analizën vjetore të Prokurorisë së Apelit Durrës, Marku kërkoi  që këto ndryshime të bëhen sa më shpejt, pasi dispozita kalimtare e Prokurorit të Përgjithshëm nuk e lejon atë që hetimet disiplinore ndaj prokurorëve të shkojnë deri në fund.

Nga ana tjetër, Kryeprokurorja ka theksuar se, rrëzimi i ligjit për procedimet disiplinore ndaj magjistratëve në vitin 2017 nga Gjykata Kushtetuese ka lënë një vakum ligjor, duke kërkuar nga Kuvendi që të miratojë sa më shpejt ndryshimet ligjore dhe të përcaktojë me detaje se cilat sjellje duhet të procedohen.

Gjendjen aktuale të Prokurorisë dhe vetë sistemit të drejtësisë, Marku e ka cilësuar problematike, pasi siç u shpreh ajo, në kushtet që po operon aktualisht sistemi i drejtësisë kur prokurorët veprojnë të pavarur apo të pandikuar tërësisht, funksionimi i mekanizmave disiplinore është i domosdoshëm dhe jetik dhe në mungesë të këtyre mekanizmave pavarësia nuk është asgjë tjetër veçse abuzim në kurriz të qytetarëve dhe cenim i imazhit të drejtësisë.

Marku ka theksuar që në fillim se ka shumë ankesa të qytetarëve që kanë shkuar direkt në adresë të saj dhe një pjesë pranë medieve dhe mosndërhyrja jonë ndaj prokurorëve të akuzuar është komentuar me nota denigruese, duke shtuar se kjo gjë nuk mund të bëhet përsa kohë nuk është zgjedhur Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si autoriteti i vetëm që ka të drejtën për të hetuar prokurorët.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.