Çelet Agropika e re në Tiranë, orientim fermerëve drejt tregut

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Agropika më e re që u çel sot në Tiranë, është njëra prej 20 pikave të tilla të hapura në disa qytete të vendit, e konceptuar si një dritare e dedikuar për fermerët që duan të investojnë në bujqësi dhe zhvillimin rural apo të informohen për zhvillimet më të reja në sektorin e bujqësisë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në inaugurimin e kësaj agropike, prej së cilës fermerët e Tiranës do të marrin orientimin e duhur për produktet e tyre, në përputhje me kërkesat e tregut, si dhe do të asistohen gjatë procesit të aplikimit për skemat mbështetëse.

Drejtorja e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca shpjegoi se në të gjithë zonën janë 36 mijë familje bujqësore, të cilat mund të vijnë dhe të marrin shërbimin në këtë pikë.

“Jemi në Agropikën Tiranë, ku nëpërmjet buxhetit të shtetit ne kemi rikonstruktuar ambientet ekzistuese të drejtorisë për t’i ofruar një dritare shërbimi fermerëve të qarkut Tiranë. Bëhet fjalë për 36 mijë familje bujqësore të cilat mund të vijnë dhe të marrin shërbimin në këtë pikë. Jemi në hapësirën e infoaplikimit. Pra, këtu vijë dhe përballen me punonjësen, e cila i dëgjon dhe i kupton nevojat e tyre, dhe i drejton në zyrat e tjera në qoftë se ka nevojë të marrin informacion për skemën mbështetëse që ofrohet, apo për programin e IPARD, apo për programin e donatorëve të ndryshëm që ne ofrojmë si AZHBR”, tha ajo.

Sipas Drejtores së AZHBR-së, “ka një specialiste e cila ka gjithë informacionin për fermerët, pra jep informacion për kulturat”. “Këtu bëhet aplikimi online me zero dokumente, siç kemi premtuar. Do të mbajmë të njëjtin format edhe në 2019, ku fermerët mund të vijnë dhe të aplikojnë me një ID dhe një numër NIPTI”, tha ajo.

Në kuadër të Paktit për Universitetin, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka punësuar pranë kësaj pike 4 studentë të ekselencës. “Dola është studente ekselente. Është në ditën e saj të parë të punës pranë AZHBR-së. Është specialiste në departamentin tonë juridik”, – shpjegon Drejtorja e AZHBR.

“Jam rekrutuar nga portali “Punë të mbarë”, ku jam përzgjedhur si një nga studentët e ekselencës të cilëve ju dha një mundësi për të bërë një eksperiencë të tyre në administratën shtetërore. Jam këtu për të parë dhe më nga afër atë që është procesi fillestar, le të themi i aplikimit”, – shprehet punonjësja më e re.

Frekuentuesit e parë të pikës janë fermerë të cilët kanë qenë të sukseshëm me përfitimet e skemave të një viti më parë. “Jam një fermer nga njësia administrative Kashar. Për vitin 2018 aplikova dhe përfitova 1 ha ullishte mbjellje dhe 1 ha vaditje me pika. Këtu erdha për tu interesuar për ta vazhduar akoma, për ta shtuar, të marr informacion”, u shpreh një fermer./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.