Balla: Fletë të bardhë opozitës për Kodin Zgjedhor

TIRANË, 18 mars/ATSH-Maela Marini/ “Nuk ka ndodhur ndonjëherë që shumica t’i thotë opozitës merre faqe të bardhë shkruaje Kodin Zgjedhor dhe ne do ta miratojmë”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke i drejtuar sërish ftesën opozitës për miratimin e Kodit Zgjedhor.

I ftuar në një studio televizive, Balla tha se apeli im ndaj PD-së është dialog për të vijuar më tej përpjekjet tona për një Kod të ri Zgjedhor që adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Duke komentuar situatën politike në vend, Balla tha se “vendi është në stabilitet të plotë politik dhe ka vetëm një përpjekje të një grupimi poltikanësh që duan të bllokojnë reformën në drejtësi”.

Balla tha se “sot është afati i fundit i dorëzimit të kandidatëve për komisionerë pranë KZAZ-ve nga ana e PD-së dhe LSI-së, ndaj ai u bëri apel këtyre forcave politike që të mos e humbin këtë afat brenda ditës së sotme”.

Lidhur me deklaratën e Presidentit se kriza zgjidhet me dialog dhe palët duhet të marrin përgjegjësi, Balla tha se “Presidenti ka detyrën primare të qëndrojë mbi palët dhe ne jemi të hapur për dialog”.

“Dialog nuk do të thotë negociata”, tha balla, duke shtuar se “ata mund të kërkojnë edhe që t’i rikthehen mandatet që lanë, por kjo është e pamundur nga ana juridike dhe kushtetuese”.

Dorëzimi në bllok i mandateve nga deputetët e opozitës, sipas Ballës, është një vendim i dënuar edhe nga ndërkombëtarët. Ndërkohë, Balla tha se “opozitën e kanë përcaktuar shqiptarët, por shqiptarët kanë votuar listat e partive politike dhe ata që kanë marrë mision të hyjnë në Kuvend janë deputetë të rinj, por janë të opozitës”.

Balla akuzoi Bashën si organizatorin dhe komanduesin kryesor të dhunës në protestat e opozitës.

“30 qershori është një test i rëndësishëm politik dhe ata e dinë se nuk kanë asnjë shans. Edi Rama do të vazhdojë të jetë kryeministër i vendit në këtë mandat, por do të marrë besimin edhe në 2021 pa asnjë ndërprerje për të qeverisur vendin edhe në mandatin e 3-të. Nuk ndodh në asnjë vend demokratik që njëra palë t’i thotë palës tjetër dua të keni këtë eikip dhe do të përballem me ju në zgjedhje. Edi Rama sot është politikani me besueshmërinë më të lartë publike në vend dhe kjo e faktuar nga sondazhet e vetë PD-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare si Konrad Adenauer”, tha Balla. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.