Pas tre dekadash merr zgjidhje problemi i ujit të pijshëm në Poliçan

TIRANË, 17 mars/ATSH/ – Investimi prej 80 milionë lekesh për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të furnizimit me ujë të qytetit, si dhe rikonstruksioni i stacionit të pompimit dhe linjës së dërgimit, dot ë bëj që Poliçani të mos vuaj më nga mungesa e ujit të pijshëm, duke furnizuar 24 orë në ditë me ujë banorët. Që prej vitit 1966, që përkon edhe me kohën e ndërtimit të ujësjellësit, në rrjet nuk ishte bërë asnjë ndërhyrje, duke shkaktuar për vite të tëra pakënaqësi tek qytetarët për furnizimin e çrregullt me ujë të pijshëm dhe jashtë standardeve.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotaj, ishte në kantierin e hapur për ndërtimin e ujësjellësit, i cili do të furnizojë me ujë 10 mijë qytetarët e Poliçanit, por edhe të fshatrave.

Kryetari i baskisë, Adriatik Zotkaj u shpreh se ujësjellësi ka qenë një prej kërkesave kryesore të banorëve.

“Që nga viti 1966 kur është ndërtuar qyteti, së bashku me ujësjellësin e Poliçanit nuk ka patur investim. Me një investim prej 80 milionë lekësh të reja ne do të bëjmë të mundur furnizimin e 10 mijë banorëve, duke e zgjidhur përfundimisht këtë problem, duke e furnizuar me ujë 24 orë, duke e përmirësuar cilësinë e shërbimit, por duke nxjerrë edhe ujësjellësit nga humbja. Rreth këtij segmenti prej 10 km marrin ujë edhe të gjithë fshatrat që janë ngjitur me Beratin. Me këtë investim, ne mbyllim të gjithë gangrenën e madhe që ka qenë edhe kërkesa kryesore për sa iu përket investimeve në qytetin e Poliçanit. Falë këtij premtimi të përmbushur u bë e mundur që qytetarët tanë të kenë ujë 24 orë,” u shpreh Zotkaj.

Me ujësjellësin e ri marrin zgjidhje edhe disa problematika të tjera, siç është ajo e menaxhimit të sistemit dhe garantimi i cilësisë së ujit të pijshëm. “Përveë pjesës që ky investim zgjidh njëherë e mirë çështjen e ujit, është edhe çështja e mirëmenaxhimit. Ne po ndërtojmë stacionin e pompimit, nga pompa të vjetra të viteve ‘60 po vëmë pompa të reja. Me këtë investim ne pothuajse 1/3 e energjisë elektrike do të mbetet, ndërsa 2/3 i kursejmë. Një tjetër gjë është edhe sistemi i klorifikimit të ujit që rregullon cilësinë e ujit. Nëpërmjet këtij sistemi automatik klorifikimi do të kemi një cilësi më të mirë uji dhe gjithashtu do të vihen matëse tek pjesa e depove, në mënyrë që menaxhimi të jetë edhe më i thjeshtë,” shpjegoi zëvendësministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Hantin Bonati.

Kryeministri Rama është ndalur edhe në shkollën “Refat Keli” në Poliçan.

Nxënësit e kësaj shkolle do të mësojnë në kushte tërësisht të transformuara, që nga klasat, sallat, palestra, si dhe qendra e aktiviteteve kulturore e deri tek ngrohja qendrore deri dje e munguar.

Kryeministri pa nga afër shkollën e rikonstruktuar falë investimit prej afro 54 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, e cila sot ka pësuar një ndryshim rrënjësor të të gjitha ambienteve.

“Ishte shumë, shumë keq. Ishte një sistem pa ngrohje. Tani u bë me sistem kapot dhe me sistem kaldaje. Fëmijët tanë sot rrinë me kushte shumë komode, europiane,” u shpreh ndër të tjera kryetari i bashkisë Poliçan, Adratik Zotkaj.

Rikonstruksioni i shkollës “Refat Keli” ishte pjesë e programit të qeverisë për transformimin e infrastrukturës arsimore dhe modernizimin e kushteve të edukimit për 58 shkolla në të gjithë vendin.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.