FOTO/ “Dita e Verës, mijëra qytetarë festojnë në rrugët dhe sheshet e Tiranës

TIRANË, 17 mars/ATSH/ – Koha e bukur dhe e ngrohtë ka nxjerrë në sheshet kryesore të qytetit me mijëra qytetarë të Ditën e Verës, duke lënë pas ngjarjet e një dite më parë të protestës së dhunshme nga ana e partive opozitare.

Qytetar të të gjitha moshave, nga fëmijët e deri tek të moshuarit kanë vërshuar në Sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” apo në kodrat e Liqenit Artificial, ku i janë gëzuar aktiviteteve të shumta festive të organizuara nga bashkia Tiranë.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke folur sot me rastin e kësaj dite u shpreh se sot në rrugët e Tiranës kishte tre herë më shumë pjesëmarrje se sa në protestën e opozitës, çka sipas tij tregon më së miri se shumica e qytetit do zhvillimin dhe refuzon shkatërrimin.

“Ne nuk kemi askujt kujt t’i tregojmë forcën, për sa kohë që ne jemi të fortë në shpirt, ne zemër, fakti që sot jemi 3 fish i ekskursionit të djeshëm na bën që të ndihemi më të vendosur për të vazhduar rrugën që kemi nisur. Tirana do të ecë përpara. E përbuz dhunën. Unë me të tilla gjëra që shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të mi, nuk bashkohem. Ndaj unë jam i bindur që socialist dh demokratë duan një Tiranë që ecën përpara. Sot nuk jemi të ndarë mes partive, sot jemi të ndarë mes një pakice që bën ekskursionet e dhunë dhe një shumice përtej bindjeve, që e do jetën e do Tiranën dhe e do progresin”, tha ai.

Bashkia e Tiranës ka organizuar më shumë se 50 aktivitete të ndryshme festive me rastin e Ditës së Verës. Prej orës 9:00 të mëngjesit e deri në mesnatë, të gjithë qytetarët, e sidomos fëmijët, do të mund të kalojnë një ditë të paharruar, duke shijuar aktivitetet e organizuara nga bashkia e Tiranës, por edhe duke u bërë pjesë e tyre. Aktivitetet do të jenë të shtrira në zona të ndryshme të kryeqytetit, për t’iu mundësuar qytetarëve sa më shumë lojëra, argëtim, dhe hapësira festive.

/e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.