Stimuj fiskalë për zhvillimin e agroturizmit dhe zhdukjen e varfërisë

TIRANË, 16 mars/ATSH-Maela Marini/ “Qeveria i ka dhënë agroturizmit stimuj të rëndësishëm fiskalë, pasi besojmë se me nxitjen e këtij sektori krijohen kushtet për ta nxjerrë jashtë varfërinë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim me 200 operatorë turistikë në Berat.

Berati sot ka shumë probleme, tha Rama, por as mund të krahasohet me atë që ishte dje, ku nuk kishte shpresë për askënd.

“Objektivi ynë i mandatit tjetër të bashkive është zhvillimi në zonën rreth e rrotull i agroturizmit. Kemi shembujt e dy sipërmarrësve të suksesshëm të cilët kanë ngritur këtu kantinat e verës”, tha Rama.

Duke folur për stimujt fiskal të qeverisë për nxitjen e agroturizmit, Rama tha se “e kemi bërë vetëm 6% TVSH-në njësoj si hotelet me 5 yje, si dhe 5% tatim-fitimin”.

“Janë të gjitha mundësitë që të bëjmë një hap tjetër përpara për të krijuar kushtet për ta nxjerrë jashtë varfërinë nga gjithë kjo zonë. Kjo kërkon vizion, vullnet dhe këmbëngulje”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se do të hartohet një program i veçantë bashkëpunimi mes qeverisë, bashkive (pasi t’ja marrim bashkinë e Beratit doktorreshës së shkencave) dhe FSHZH-së për shtëpitë tradicionale, që do të bëjë të mundur që në mandatin e ardhshëm të kemi një transformim më të madh dhe në 4 vitet e ardhshme të shkojmë në 300 mijë vizitorë”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.