Pas 36 vitesh, restaurohet rruga “Mihal Komneno” në Berat

TIRANE, 16 mars/ATSH/- Pas 36 vitesh është bërë e mundur restaurimi i rrugës “Mihal Komneno” deri te Tabja në Berat, qyteti mbi 2400– vjeçar, që flet me historinë, me kulturën e vet dhe që tashmë pret mijëra e mijëra turistë nga e gjithë bota.

Investimi për rehabilitimin e plotë të kësaj rruge,  e njohur ndryshe si rruga këmbësore për në Kalanë e Beratit, u bë e mundur në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar dhe Turizmin zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me fonde të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore.

Investimi i fundit për shtrimin me kalldrëm daton në vitin 1982 dhe prej asaj kohe rruga kishte degraduar jo vetëm duke humbur funksionalitetin, por ishte kthyer në një rrezik permanent për këmbësorët dhe mjetet e transportit.

Rruga është 1.2 km e gjatë dhe ndërhyrja parashikon heqjen e kalldrëmit ekzistues, vendosjen për herë të parë të sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të ndotura, vendosjen e linjave të elektro-telefonisë, nënshtresat, shtrimin me kalldrëm, ndriçimin publik, kosha për hedhjen e mbeturinave, sinjalistikë dhe elemente të tjerë plotësues.

Për kalldrëmin e ri është përdorur guri I zi me origjinë nga rrethinat e Beratit, duke rikthyer këtë rrugë  në origjinën e saj të hershme dhe duke i dhënë një dimension të ri kulturor dhe historik.

“Mihal Komneno” shërben vetëm si rrugë këmbësore pasi qarkullimi i mjeteve drejt kalasë do të kryhet nëpërmjet rrugës “Muzak Topia”.

Pjesë e këtyre investimeve ishte edhe pika panoramike Tabja dhe sheshi përpara saj ku rrënojat u kthyen në lulishte dhe kur nata bie pamja bëhet magjike.

Pika panoramike  është pajisur me mjete vrojtimi për t’u mundësuar turistëve e vizitorët të shijojnë panoramën e mrekullueshme të luginës së Osumit./a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.