Financime për transformimin e shtëpive tradicionale në bujtina turistike

TIRANË, 16 mars/ATSH-Maela Marini/ Qeveria po punon për hartimin e një programi të ri mbështetjeje për transformimin e shtëpive monument kulture dhe të shtëpive tradicionale në bujtina, që ato të shpëtohen nga degradimi dhe të rritet kapaciteti ekonomik i familjeve.

Këtë e bëri të ditur sot, Kryeministri Edi Rama në një takim me 200 operatorë turistikë në Berat.

Sipas Kryeministrit Rama, Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Ministria e Financave po punojnë për këtë program të ri, në mënyrë që kushdo që ka një pasuri të fjetur në duar dhe mezi arrin fundin e muajit, të fuqizohet ekonomikisht duke vënë në përdorim këtë pasuri.

Qeveria, tha Kryeministri, do të mbështesë financiarisht me forma të ndryshme, si grante apo kredi me interesa shumë të ulëta, të gjithë ata që duan të investojnë në shtëpi tradicionale në Berat, Gjirokastër apo në zona të tjera që do të përcaktohen sipas një harte”.

Po ashtu, Rama tha se po diskutohen edhe disa lehtësira të tjera, si mundësia që bashkia t’ja zerojë taksën e pronës shtëpive tradicionale që kanë një plan investimi dhe t’ia rrisi taksën e pronës shtëpive tradicionale që mbahen mbyllur dhe mbahen peng”.

Kjo sipas tij, do të evitojë mundësinë që godina të bukura karakteristike, në vend që të shndërrohen në atraksione turistike të mbeten të rrënuara dhe të pengojnë turizmin.

“Ishim tek një bujtinë e ndërtuar diku lart, pranë rrugës së rindërtuar të Kalasë, që tanimë është e shpëtuar nga të gjitha ato vështirësi dhe probleme që krijoheshin për shkak të mungesës totale të kanalizimeve dhe degradimit të kalldrëmeve. Ndërkohë kemi parë se sa çdo muaj e më e lartë është shprehja e interesit për të transformuar shtëpitë tradicionale në bujtina”, tha Kryeministri.

Kryeministri u shpreh se “nuk mund të pranohet që të shkosh në një lagje tradicionale me ndërtesa karakteristike dhe të gjesh njerëz të varfër dhe familje që jetojnë vetëm falë emigracionit të fëmijëve të tyre”.

“Parafytyroni çfarë do të kishin bërë fqinjët tanë nëse do të kishin Beratin dhe Gjirokastrën. Më tregoni një rast të vetëm në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Greqi, apo dhe në Bosnje ku ka pasur edhe luftë së fundi, që një pasuri e tillë të jetë lënë me vite të tëra siç ndodhi me Beratin dhe Gjirokastrën”, tha Kryeministri.

Sot ka filluar kthesa, theksoi Rama, duke shtuar se “tashmë kanë filluar të vijnë persona nga emigracioni dhe të tregojnë interes për të vënë përdorim këto shtëpi tradicionale”.

Po ashtu, Kryeministri foli për investimin që duhet bërë në Berat, për shembjen e shkollës 9-vjeçare dhe hapjen e hapësirës mes dy xhamive. “Krijimi i një hapësire pa gardhe duhet të jetë në dispozicion të publikut”, tha ai./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.