Zgjidhen anëtarët e rinj të Bordeve të Administrimit, risi kandidatët e studentëve

TIRANË, 15 mars/ATSH/- Në kuadër të Paktit për Universitetin, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë përmbylli me sukses procesin e aplikimeve për anëtarët e Bordeve të Administrimit në universitetet publike.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi sot se “anëtarët, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, janë zëvendësuar në shumicën e universiteteve. Janë tre universitete për të cilat do të hapet edhe një herë aplikimi, siç është Universiteti i Tiranës, ai i Mjekësisë dhe Universiteti i Gjirokastrës”.

Shahini sqaroi se të gjitha universitetet kanë arritur që të kenë mjaftueshëm aplikantë të suksesshëm që të arrijnë të bëjnë zëvendësimet.

Ministrja theksoi se risia e kësaj radhe është se një nga aplikantët apo kandidatët ka qenë i përzgjedhur nga vetë studentët.

“Tri universitete kanë arritur që të realizojnë një proces në mënyrë të rregullt zgjedhor dhe tre kandidatë të universiteteve të përzgjidhen si anëtarë të bordeve.”

Ajo shtoi se suksesshëm është mbyllur përzgjedhja e anëtarit të pakicës së studentëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në Universitetin e Vlorës dhe në Universitetin e Arteve.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka publikuar edhe listën e anëtarëve të Bordeve.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.