Tola për ATSH: Policia rrugore gati për sezonin turistik

TIRANË, 14 mars/ ATSH- A. Fortuzi/- Policia Rrugore është gati për sezonin e ri turistik. Policia rrugore i ka të gjitha kapacitetet dhe ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të menaxhuar më së miri sezonin turistik.

Këtë garanton, Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola, i cili në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare pasqyroi masat e marra nga Policia Rrugore për të ofruar një klimë sa më të mirë për përdoruesit e rrugës gjatë sezonit turistik.

“Kjo nuk është një sfidë vetëm e Policisë Rrugore, por e një sërë institucionesh. Ne si Polici Rrugore kemi tashmë eksperiencën e duhur për ta menaxhuar me maturi dhe efikasitet sezonin turistik. Zakonisht kemi eksode të mëdha njerëzisht që lëvizin gjatë verës nga qendrat e populluara në zonat e bregdetit, veçanërisht në fundjavë. Ne kemi një mbulim efikas në zonat bregdetare, duke shtuar dhe prezencën tonë”, tha Tola.

Ai sqaroi se janë dy akse të cilat vijojnë të mbeten problematike. “Aksi Fier-Levan dhe aksi Maminas-Gjiri i Lalëzit janë mjaft problematike. Në zonën e Fierit ndërtimi i bypass-it do të jetë një lehtësim për përdoruesit e rrugës. Në atë zonë ne konsumojmë 20 punonjës policie në dy turne, që janë shumë. Në atë zonë fluksi mjeteve është i lartë deri në Levan, kur rruga ndahet në dy akse, ajo që lidh Vlorën dhe pjesa që lidh Gjirokastrën, ku infrastruktura është e rregulluar tashmë”, tha Tola.

“Rruga e Gjirit të Lalëzit është një tjetër aks me probleme. Ndërtimi i një unaze të re apo zgjerimi i aksit ekzistues do ishte lehtësuese për trafikun”, tha Tola.

Ai shtoi se këtë vit janë dhe zgjedhjet lokale. “Ky fakt do e rrisë barrën e punës sonë. Kryetarët ekzistues, fushata, kryetarët e rinj që do vijnë do ketë mjaft lëvizje dhe në akset rrugore, çka do rrisi dhe barrën e punës sonë, por ne kemi teknologjinë, saktësinë dhe maturinë e duhur për t’ja dalë me sukses”, tha kreu i Policisë Rrugore

Bashkëpunimi me institucionet e tjera, sipas Toles është pozitë. “Jemi duke punuar me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, me Ministrinë e Infrastrukturës për sinjalistikat. Jemi duke punuar me një sërë institucionesh për të qenë gati si për sa i takon sezonin turistik, ashtu dhe zgjedhjeve lokale. Ne kemi maturi dhe fatmirësisht sot qytetarët janë smart, dinë të zgjedhin aksin e duhur rrugor. Sot për të shkuar në zonën e Fierit apo Peqinit të leverdis më shumë të përdorësh aksin Tiranë-Elbasan se sa nga Durrësi në kohë piku”, tha Tola.

Ai në fund të intervistës tha se janë 600 000 shqiptarë që zgjohen në mëngjes dhe udhëtojnë me automjetet e tyre, prandaj dhe trajtimi i rrugëve si një e mirë e përbashkët do ishte zgjidhja më europiane. “Udhëzimi për mjetet e tonazhit të rëndë ka shtrirje vjetore dhe ditët e festave jashtë sezonit turistik. Rruga është shtëpia jonë e përbashkët. Të gjithë duhet të sillemi sikur e kemi shtëpinë tonë. Rripin e sigurimit, zbatimin e rregullave të qarkullimit, respektimin e këmbësorëve janë bazike. Duhet të sillemi në mënyrë sociale në rrugë, sikurse ndodh në Europë dhe do jemi më shumë europianë kur vendosim rripin”, tha Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola gjatë intervistës për ATSH./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.