Studimi i OKB-së për gratë në politikë 2019, Shqipëria e 4 në botë

TIRANË, 15 mars/ATSH/ – Në një studim të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për gratë në politikë për vitin 2019, raportohet se Shqipëria renditet e 4-ta në botë.

Shqipëria renditet në vendin e 4 në rang global, për sa i përket numrit të ministreve gra në qeveri. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Gratë (UN Women) ka kryer një studim të grave në politikë për vitin 2019, në 191 vende, ku konfirmohet progresi i qeverisë shqiptare në përfshirjen e grave dhe vajzave në vendimmarrje.

Shqipëria renditet e 4 në botë, me 8 gra ministre ose 53,3% e kabinetit qeveritar prej 15 ministrash. Vendi ynë renditet i pari në rajon sa i përket ministreve në qeveri.

Spanja është vendi i parë në botë me 11 ministre, nga 17 anëtarë që ka qeveria spanjolle. Një në 5 ministra është grua sipas hartës globale të UN Women.

Parlamenti i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017, ka numrin më të madh të grave deputete në 27 vitet e fundit. Gratë përfaqësohen në Kuvend me 41 deputete nga 140 në total, ose 29,3%, duke u renditur e 53 në rang global.

Në legjislaturën 2013-2017, përfaqësimi i grave deputete ishte 23,5%. Ka pasur progres në përfaqësimin e grave në nivele të larta të Administratës Publike, ku rreth 60% e grave janë në nivel drejtorësh të përgjithshëm. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.