Shqipëri-SHBA, sot 28-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Sot kujtohet rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë (më 15 mars 1991), pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.

Në kujtim të kësaj date, Ambasada e SHBA-së në Tiranë sjell në kujtesë ceremoninë historike të vitit 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

“Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze Rejmond G.H. Saitc, tha: “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Udrou Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare… të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”, kujton Ambasada.

Edhe ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati kujtoi sot 28-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Shqipërisë në proceset demokratizuese dhe reformat e sundimit të së drejtës në ekonomi. Si partnerë strategjikë dhe aleatë në NATO bashkëveprojmë në fronte dhe misione ndërkombëtare të rëndësishme dhe bashkëndajmë sfidat e sigurisë në planin rajonal”, tha ai./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.