Shqipëri-Kinë, zgjerimi i bashkëpunimit e shkëmbimeve në fusha të ndryshme

TIRANË, 15 mars/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot në takim, ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding.

Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve të vendosura 7 dekada më parë, Ruçi u shpreh se ekziston një klimë shumë e mirë bashkëpunimi dypalësh, me një nivel të kënaqshëm të dialogut politik dhe të shkëmbimit të vizitave në nivele të larta dhe nënvizoi synimin e institucioneve shqiptare për forcimin e dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet: në atë qeveritar, parlamentar, joqeveritar, akademik, kulturor dhe në të gjitha fushat me interes reciprok.

Ambasadori u shpreh së pala kineze e konsideron Shqipërinë mike dhe partnere të besueshme në Europën Qendrore e Lindore dhe se është e gatshme që së bashku me palën shqiptare të punojnë për zgjerimin e bashkëpunimit e shkëmbimeve në fusha të ndryshme.

Ding gjithashtu shprehu angazhimin e tij personal që gjatë mandatit të tij të kontribuonte në thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rritjen e shkëmbimeve kulturore, ekonomike, tregtare dhe njerëzore mes dy vendeve.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Kryeparlamentari Ruçi vlerësoi rolin e Kinës në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme ndërkombëtare dhe përsëriti kërkesën që Kina të rishikojë pozicionin e saj për njohjen e Kosovës, si dhe kërkoi mbështetjen e palës kineze për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ambasadori Zhou Dung, informoi Kryetarin e Kuvendit mbi vizitën e ardhshme në Shqipëri të Nënkryetarit të Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, Zhang Qingli, vizitë që realizohet në kuadër të 70-vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.