Protesta e studentëve, shtytje për transformimin e universiteteve

TIRANË, 15 mars/ATSH-Maela Marini/ “Ferma didaktike në Universitetin Bujqësor të Tiranës bëhet sot falë shtytjes së madhe që studentët protestues i dhanë procesit, duke e vendosur me shpejtësi në rendin e ditës së qeverisë të gjithë axhendën e mbështetjes më të madhe për universitetet”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim me studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilit iu akordua fondi prej 1 milion euro për ndërtimin e fermës së parë didaktike.

Kryeministri theksoi se, “gjatë kësaj kohe, vetë Universiteti punoi për një masterplan të mirëfilltë që faktikisht është një udhërrëfyes deri në vitin 2030 për shndërrimin e Universitetit në qendër elitare të hartimit, planifikimit dhe zbatimit të politikave bujqësore dhe zhvillimit rural në vend”.

“Masterplani u diskutua dhe gjërat ecën në drejtimin e duhur falë protestës së studentëve, që i dha një shtytje shumë të fortë përpara, procesit të ndërhyrjes në funksion të procesit të transformimit të universitetit”, tha Rama.

Procesi i ndërtimit të partneriteteve mes ministrive dhe universiteteve, sipas Kryeministrit, “ka nisur të krijojë dosjet e projekteve që do të përfshihen në programin e financimit që qeveria është zotuar të realizojë për transformimin e gjithë zonës universitare të vendit, apo ishujve universitarë në një kantier të madh”.

“Këtu do të investohet sipas kërkesave të identifikuara bashkarisht dhe mbi bazën e projekteve të hartuara dhe miratuara bashkarisht. Këtu sot nuk bëjmë asnjë gjë tjetër veçse financojmë një projekt konkret në kuadër të Paktit për Universitetin, pasi është firmosur marrëveshja e partneritetit mes Universitetit dhe Ministrisë së Bujqësisë”, – tha Rama.

Një tjetër angazhim i rëndësishëm, sipas Kryeministrit, është rindërtimi dhe krijimi i standardeve normale për të gjitha konviktet. “Edhe këtu do të bëjmë ndërhyrjet e nevojshme që konviktet t’i përgjigjen ambicies që ne kemi për standarde tërësisht të tjera në Universitetin tonë”, – tha ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.