Plan kombëtar për sigurinë e urave

TIRANË, 15 mars/ATSH-Maela Marini/ “Nevojitet një plan kombëtar për shpëtimin e veprave rrugore të artit me mbi 50 vite vjetërsi, të cilat janë pranë një kolapsi të plotë”, deklaroi sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndërsa theksoi se aktualisht është identifikuar problematika dhe janë kryer ndërhyrjet emergjente.

Balluku thirri sot një tryezë teknike për sigurinë e urave në Republikën e Shqipërisë.

“MIE ka në fokus të saj sigurinë rrugore dhe siç kemi parë, aksioni sa i përket sigurisë rrugore është në fokusin tonë, përveç eliminimit të ‘black spot’ që kemi në akset rrugore”, tha ajo.

Balluku tha se, ministria që ajo drejton ka një fokus shumë të rëndësishëm tek urat. “Është kryer një raport monitorimi dhe inspektimi që ka filluar në tetor 2018 dhe qëllimi fundor i këtij monitorimi është përcaktimi i procedurave standarde për sigurinë e urave dhe ndërhyrjet eventuale që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë aktuale të urave dhe prognozën e tyre për të ardhmen”, tha Balluku.

Sipas saj, “gjendja e disa prej urave sot është emergjente ndaj edhe sa i takon sigurisë rrugore kjo tryezë ka një rëndësi të veçantë, sepse nis një proces që duhet nxitur edhe në sektorë të tjerë”.

Balluku tha se “risia e pasaportës teknike për çdo urë është një element shumë i rëndësishëm, ndërsa duhet të hartohet dhe miratohet një metodologji për inspektimet për mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e urave”.

“Ne nuk duam të krijojmë asnjë panik, por të informojmë publikun që është aktor pasiv në këto raste, por është përdorues, që ne kemi identifikuar problematikën dhe jemi këtu sot për të kërkuar zgjidhje afatgjatë”, tha Balluku.

Ajo ngarkoi zv/ministrin e Infrastrukturës Artan Shkreli që të ndjekë problematikën që del nga kjo tryezë, pasi sipas Ballukut “bëhet fjalë për një raport shumë të rëndësishëm që identifikon një problematikë jetike për Republikën e Shqipërisë”.

“Nga ky moment ne nisim një veprimtari të re për menaxhimin e urave që janë pjesë e rrjetit rrugor shqiptar. Kështu që duhet të vazhdojë kontrolli nga ana e ARRSH-së, masat që do të merren, afatet kohore që do të vendosen, rrugët alternative që do të gjenden për urat që nuk duhet të jenë më funksionale për arsye siguri dhe për koordinimin e të gjitha institucioneve të tjera që duhet të jenë pjesë e këtij procesi”, tha Ministrja.

Pa krijuar asnjë lloj paniku, Balluku tha se “ne kemi situatën nën kontroll dhe kemi dhënë edhe zgjidhjet emergjente”. “Duhet të kemi një strategji të mirëfilltë që do të aplikohet në planin afatgjatë për një zgjidhje permanente dhe për të mos u përballur me situata emergjence”, tha ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.