Pas 7 vitesh zvarritje, përfundon në 17 maj rruga Tiranë-Elbasan

TIRANË, 15 mars/ATSH/ – Pas 7 viteve zvarritje, rruga Tiranë-Elbasan do të përfundojë së ndërtuari brenda datës 17 maj, duke i dhënë fund problemeve disavjeçare me këtë rrugë.

Lajmi u konfirmua nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku një ditë pas njoftimit të hapjes së krahut të majtë të kësaj rruge për automjetet, nga kryqëzimi i Ibës deri në hyrjen e tunelit.

“Deri në 17 maj ne deklarojmë me përgjegjësi që do përfundojë e gjithë rruga dhe do të dorëzohet sipas të gjitha kushteve teknike që parashikohen në kontratë. Vera ka trokitur e mbarë dje dhe solli zgjidhjen e një problemi 7-vjeçar. Projekti nisi në vitin 2012 dhe për shkak të mungesës së studimit gjeologjik, pasi ka patur shkarje të skarpateve, ky projekt u tërhoq zvarrë për 7 vite. Dje të gjithë kanë shkuar në Elbasan dhe tashmë është realitet”, tha Balluku.

Ministrja theksoi gjithashtu se po zbatohet Strategjia Kombëtare për Sigurinë Rrugore në vend.

“Jemi impenjuar për ta implementuar këtë strategji dhe kemi nisur dy projekte, eliminimin e pikave të rrezikshme të akseve rrugore dhe e dyta, një raport mbi gjendjen e urave në vend që nuk ka rezultuar pozitiv se janë të amortizuara. Pas raportit pritet një planizim i punëve dhe ndërhyre konkrete”, tha Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.