Nikolla: Nuk dialogohen parimet e demokracisë

TIRANË, 15 mars/ATSH/- “Partnerët tanë ndërkombëtarë jo vetëm ftojnë për protesta paqësore, por po aq me rëndësi është që të kuptohet se në një demokraci parlamentare funksionale kushtetuese, rotacioni ndodh vetëm me procese zgjedhore”, deklaroi sot deputetja e PS-së, Lindita Nikolla.

Gjatë një interviste televizive, Nikolla theksoi se “ajo që ka ndodhur në 2017 ka përcaktuar një parlament që partnerët tanë thonë që është legjitime dhe një qeveri legjitime”.

“Pra, nuk mundet opozita as të dialogojë apo të negociojë kalendarin elektoral, as të negociojë qeverinë dhe mënyrën e qeverisjes së një vendi. Ka gjithë të drejtën e vet që ta kritikojë dhe të protestojë për problematika të caktuara po në mënyrë paqësore”, u shpreh ajo.

Duke iu referuar deklaratës së SHBA për platformë kombëtare për dialog, Nikolla tha se “është e qartë ftesa që është bërë për dialog nga ana e mazhorancës. Tashmë shihet si një detyrë madje, një përgjegjësi e re midis të gjitha palëve, që do të thotë: mazhoranca dhe opozita të dialogojnë për çështjet thelbësore që u intereson apo që shihen si problematikë, por patjetër brenda një kornize kushtetuese. Nuk mund të dialogohet apo të negociohen parimet e demokracisë, parimet mbi bazën e të cilave organizohet e gjithë jeta politike në vend”.

“Deklarata e SHBA-ve përcakton se deputetët kanë tradhtuar elektoratin duke lënë në mes misionin e tyre. Nuk duhen parë ndryshe ata që vijojnë këtë mision. Partnerët tanë jo vetëm ftojnë për protesta pa dhunë, por është e rëndësishme të kuptohet se rrotacioni ndodh vetëm përmes proceseve elektorale”, – u shpreh ajo.

Ajo tha se duhet dialog por këtë nuk mund të bëjë presidenti pasi ai e ka humbur fuqinë për të qenë mbi palët duke u pozicionuar qartazi në krah të opozitës.

“Presidenti e humbi shansin për të qenë mbi palët duke u kontoruar qartazi si pjesë e opozitës. Aty ku janë interesat kombëtare të gjithë janë të mirëpritur për një dialog brenda kornizës kushtetueses por jo për të negociuar parimet më elementare të demokracisë”, u shpreh Nikolla.

Duke iu referuar protestave të opozitës, deputetja socialiste thekson se “nëse iu referohemi ligjërimeve të Bashës dhe Kryemadhit, thirrjet e tyre janë për protestë popullore, i drejtohen popullit, kanë marrë simbolikën e të qenurit popullore. Thirrjet që Shqipëria nuk e meriton që të anëtarësohet në BE, janë thirrje të paprecedenta të një politikani, të një njeriu që në emër të popullit flet për vendin, për atdheun. Por një gjë është e qartë, që këto janë protesta të opozitës, dhe jo të popullit, pasi populli nuk del në rrugë me orare të përcaktuara dhe nuk largohet nga protesta me thirrjen e liderit të opozitës”.

Nga ana tjetër, vijoi Nikolla, më shumë se sa çfarë ka thënë Rama apo që mund të thotë secili prej deputetëve të PS, është gjuha me të cilën i drejtohet opinionit dhe partive politike, SHBA dhe BE, që flitet për qeveri legjitime, për parlament legjitim dhe për proces legjitim të futjes së deputetëve të rinj të opozitës në parlament.

“Çfarë mbetet për të diskutuar më shumë teksa patjetër që gjithçka është brenda legjitimitetit, brenda ligjit, por edhe në kufijtë e një misioni të ri. Pasi nuk duhet të harrojmë që Shqipëria është në prag të procesit të çeljes së negociatave me BE në qershor dhe sigurisht që e gjithë kjo pamje e dhunës dhe situata politike në vend, bie ndesh me këtë proces, kërkon të errësojë progresin e bërë në rrugën e reformave në Shqipëri, kërkon t’i japë ujë dhe energjizojë skepticizmin e disa prej vendeve anëtare dhe padyshim çon në kah të kundërt edhe zhvillimin ekonomik, dhe turizmin, dhe gjithçka tjetër që lidhet me sigurinë në vend.

“Vetëm një analizë fare e thjeshtë, tregon se vullneti i opozitës nuk shpreh absolutisht pakënaqësinë e popullit në këtë protestë, por frikën që opozita ka nga humbja e zgjedhjeve të radhës. Basha e di fort mirë se çarë do të ndodhë në qershor me zgjedhjet lokale dhe kërkon të krijojë një alibi, sepse e ka shumë të vështirë të përplaset dhe të përballet me opinionin brenda partisë së vet, sepse i bëhet e treta herë humbës në krye të PD-së”, – theksoi deputetja Nikolla. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.