Meta, “Doctor Honoris Causa” në Azerbajxhan

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Gjatë vizitës në Azerbajxhan,Presidenti Ilir Meta, u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Akademia e Administratës Publike të Azerbajxhanit. Në emër të Akademisë dhe në prani të profesorëve e studentëve të Akademisë, Presidentit Meta ia dorëzoi titullin rektori dr. Urkhan Kazimoglu Alekperov.

Në fjalën e tij, rektori Alekperov, vlerësoi rolin e veçantë të Presidentit Meta në forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.

Ndërsa, Presidenti Meta e konsideroi titullin si shenjë mirënjohje dhe vlerësimi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe reflektim të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi se në dekadën e fundit marrëdhëniet midis dy vendeve janë intensifikuar shumë dhe realizimi i projektit TAP i ka dhënë mundësi e dimensione të reja këtij bashkëpunimi.

Gjithashtu, Presidenti Meta nënvizoi se përtej marrëdhënieve ekonomike, një vëmendje më e madhe i duhet kushtuar shkëmbimeve kulturore dhe eksperiencave akademike midis dy vendeve.

“Nxitja e bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit dhe të kulturës dhe kontakteve të drejtpërdrejta mes studentëve, akademikëve e qytetarëve të të dy vendeve është investimi më i madh e afatgjatë”, – theksoi Presidenti Meta. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.