Meta-Aliyev: TAP i rëndësishëm në procesin e gazifikimit të Shqipërisë

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Zbatimi i suksesshëm i projektit TAP hap mundësi të reja bashkëpunimi, duke përfshirë edhe procesin e ardhshëm të gazifikimit të Shqipërisë.

Në kuadër të vizitës në Baku, Presidenti Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe ecurinë e tyre shumë të mirë në vitet e fundit.

Në mënyrë të veçantë, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Presidenti Aliyev i ka dhënë projekteve të gazsjellësve TAP dhe IAP, nëpërmjet të cilave Shqipëria u bë pjesë e rrjetit të rëndësishëm të korridorëve botërorë të energjisë.

Presidentët Meta e Aliyev vlerësuan me shumë interes bashkëpunimin në fushën e turizmit, mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe nxitjen e takimeve mes dhomave përkatëse të tregtisë.

Presidenti Meta kërkoi gjithashtu që të shihej mundësia e heqjes së vizave nga Azerbajxhani për qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se kjo do të lehtësonte lëvizjet dhe kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve të të dy vendeve. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.