Klosi: Objektivi, të qeverisim 5 bashkitë e qarkut Berat

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi çeli takimin “Për Bashkinë që duam” në Berat duke deklaruar se synimi i Partisë Socialiste në zgjedhjet e afërta të qershorit është të marrë drejtimin në të pesta bashkitë e qarkut Berat. Ai foli për fushatën e ndërmarrë derë më derë me qytetarët, për të kërkuar mbështetjen e tyre, por në radhë të parë, për t’i dëgjuar dhe për të reflektuar ndaj kërkesave të tyre. “Ndaj këtu jemi edhe më shumë se ç’jemi në fushatë elektorale”, – tha Klosi, duke theksuar se Berati ka nevojë për një drejtim të ri të bashkisë, për një lidership të ri që beratasit të kuptojnë se si drejtohet dhe punohet në qeverisjen socialiste.

“Jemi kaq shumë, pasi punuam në çdo strukturë për të gjetur se çfarë kemi bërë dhe nuk kemi bërë në qeverisje, kemi pyetur gjithë qytetarët dhe kemi një program të vërtetë për të ndërtuar bashkinë e Beratit, Kuçovën, Poliçanin, por edhe Skraparin”, tha ai.

Klosi shtoi se të pesta bashkitë e qarkut kanë nevojë të drejtohen nga socialistët që dinë dhe promovojnë idetë e qeverisë qendrore me Kryeministër Edi Ramën.

“Jemi më shumë se ish-opozita apo opozita e re në Kuvend. Arritëm të kapitullojmë PD dhe LSI edhe në Parlament, se kemi mbështetur dhe kemi punuar për njerëzit. Do e vazhdojmë këtë fushatë për të kuptuar çfarë duhet bërë më mirë, për të gjetur kryetarë të mirë dhe këshilla bashkiakë të mirë”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.