Fusha të reja sportive me bashkëfinancim nga Zvicra, Austria dhe bashkia e Tiranës

TIRANË, 15 mars/ATSH/ – Tri fusha të reja sportive në shkollat “Katund i Ri” dhe “Sadik Stavaleci” në Kashar pranë Tiranës iu dorëzuan sot rreth 1300 nxënësve gjatë një aktiviteti përurues.

Të pranishëm ishin kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ambasadori zviceran Adrian Maître, përfaqësues vendorë, mësues, nxënës dhe prindër nga kjo zonë.

Me financim nga qeveritë e Zvicrës dhe Austrisë, rehabilitimi i këtyre fushave sportive përfshin të gjitha kushtet për aktivitete sportive të sigurta dhe me standarde për nxënësit dhe të rinjtë e zonës së Kasharit.

Veliaj iu bashkua aktivitetit për t’u takuar me studentët dhe mësuesit e këtyre shkollave. “Nga këto fusha sporti ne do të shohim kampionët e ardhshëm të futbollit, basketbollit dhe volejbollit. Këto ambiente shërbejnë jo vetëm për shëndet fizik por edhe për punën në grup dhe për ndërtim karakteri”, theksoi kryebashkiaku.

“Është me shumë rëndësi që me këtë projekt ne u përqendruam tek nevojat e të rinjve dhe nxënësve në Kashar, ku përfituesit e drejtpërdrejtë janë të 1300 nxënësit e dy shkollave. Do të inkurajoja që tani të shohim edhe më lartë dhe më gjerë: le të shkojmë nga përurimi i infrastrukturës sociale sot, tek ndërtimi i rajoneve të forta ekonomike nesër”, tha ambasadori zviceran në Shqipëri, Adrian Maître.

Investimi është një bashkëfinancim prej 62.000 Euro nga të cilat 43.000 Euro nga Qeveria zvicerane, 16.000 euro nga Qeveria austriake, dhe 2400 euro nga bashkia e Tiranës. Si pjesë e skemës së granteve nga Programi për Zhvillim Rajonal në Shqipëri, ky investim përfshiu rinovimin e plotë të rreth 1235 m² fusha sportive, së bashku me pajisjet përkatëse.

Fushat e rikonstruktuara sportive do të përdoren jo vetëm nga nxënësit dhe të rinjtë e këtyre shkollave, por edhe nga i gjithë komuniteti, përmes promovimit të sporteve çlodhëse dhe aktiviteteve kulturore, si dhe do të inkurajojnë pjesëmarrjen dhe përfshirjen sociale në këtë zonë.

Kjo ndërhyrje është një nga 16 projektet zhvillimore të financuara nga Skema Pilot e Granteve Rajonale e cila synon të përmirësojë kushtet social-ekonomike të komuniteteve në rajonet e Shqipërisë. Këto projekte adresojnë nevoja themelore të komuniteteve vendore përmes investimeve të vogla në arsim, turizëm, sport, kulturë dhe infrastrukturë komunitare, dhe si pasojë përmirësojnë cilësinë e jetës.

Skema e granteve kontribuon gjithashtu për forcimin e kapaciteteve rajonale dhe vendore për menaxhimin e projekteve zhvillimore duke u përgatitur kështu për financime të ardhshme nga donatorët, sidomos në kuadrin e projekteve të BE-së. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.